Transmetuar më 19-03-2023, 13:14

Rrugët e Anglisë nuk janë të shtruara me flori, siç tentojnë t’i përcjellin përmes videove në Tik Tok. Mos shkoni në Angli.

Ky nuk është mesazhi ndonjë politikani anglez, por i një djali shqiptarë 15 vjeçar i cili pa lejen e prindërve hipi në gomone për të realizuar ëndrrën angleze, por në fakt nuk ishte ashtu siç e kishte paramenduar.

Gazeta Mail on Sunday, i ka kushtuar një reportazh të gjatë e të detajuar Florjan Dibrës, i cili u përball me një jetë të vetmuar e plot probleme kur mbërriti në shtetin ishull.

Florjani thuhet në artikull, mashtroi prindërit për të shkuar me pushime jashtë Shqipërisë por përmes një autobusi mbërriti në Belgjikë e më pas shkoi në Francë për të hipur në gomone drejt Anglisë.

Minoreni shqiptar pas mbërritjes në Angli, pa ditur asnjë fjalë anglisht, u dërgua në një shtëpi në një zonë rurale.

“Ditët e mia në Angli, ishin ditët më të vetmuara të jetës time. Isha I frikësuar në maksimum”, ka thënë ai gjatë intervistës.

Me ndihmën e të afërmeve ai shkoi në qytetin e Leed. Policia angleze nisi kërkimin e tij duke e shpallur fëmijë të humbur.

Pasi u lidhën me babanë, Sulejmanin, ai e bindi të birin të kthehej tek shtëpia ku e kishin strehuar shërbimet sociale.

Sulejman Dibra, gjatë intervistës me Mail on Sunday ka treguar komunikimet me policinë angleze, në bindjen e djalin të shkonte në rajonin më të afërt të policisë.

“Anglia për mua ishte një zhgënjim I madh” ka thënë Florjani. Të tjerë si puna ime që mbërritën me gomone u morën nga të afërmit dhe kanë nisur të punojnë në lavazhe apo tregun e zi.Kur shkova në Leeds, babai më porositi mos të përfshihesha në ndonjë aktivitet kriminal apo të përfundoja si kopshtarë në shtëpi bari”, ka thënë Florjani tani 16 vjeç.

I shqetësuar për djalin, Sulejmani e ka bindur të kthehet në Shqipëri, madje u ka thënë shërbimeve sociale se ishte i gatshëm ti paguante edhe biletën e kthimit.

“Shpresa ime për t’u shkolluar në Angli të merrja zanatin e mekanikut u shuan. Çfarë mësova nga kjo është se theva zemrën e prindërve të mi duke shkuar në Angli. E pashë dhe e them se nuk mund të kisha të ardhme në Angli, u shpreh ai.

Mesin e Janarit Florjani me dëshirën e tij u rikthye pranë familjes.

Mail on Sunday, vlerëson maksimalisht përpjekjet e Sulejman Dibrës në riatdhesimin e djalit, e jo inkurajimin e prindërve siç ndodh shpesh, që fëmijët e tyre të qëndrojnë me çdo kush në Angli.