Transmetuar më 18-03-2023, 13:48

Bayern Munich do të përjetojë ribashkimin e parë në një ndeshje zyrtare me Pep Guardiolën. Po flasim për ish-trajnerin e skuadrës bavareze, i cili tani, në stolin e Manchester City, do të përballet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Do të jetë një nga kualifikueset që do të tërheqë më shumë vëmendje, duke pasur parasysh se dy nga favoritët e mëdhenj do të përballen kaq shpejt. Bavarezët, sidomos pas eliminimit të PSG-së së Kylian Mbappe në 1/8 finale, janë plot vetëbesim.

“Më pëlqen të luaj kundër të mëdhenjve, – ishin fjalët e Hasan Salihamidzic, drejtor sportiv i skuadrës së Mynihut. – Djemtë tanë janë shumë të përqendruar. Është një duel i nivelit shumë të lartë. Manchester City është një kundërshtar i ashpër, më i forti për mendimin tim. Do ta takojmë sërish Pep-in. Mezi pres të fillojnë ndeshjet”.

Duhet theksuar se nuk ka shumë precedentë mes dy skuadrave. Përveç një ndeshjeje miqësore më 2016 (Bayerni fitoi 1-0), gjermanët dhe anglezët u përplasën vetëm gjatë fazës së grupeve 2014-2015. Bayerni mori tri pikë në "Allianz Arena" (1-0) dhe City triumfoi në "Etihad" (3-2). Do të jetë gjithashtu një ndeshje e veçantë për João Cancelo, i cili vetëm tre muaj pas kalimit në Mynih në formë huazimi do të përballet me ish-klubin e tij.

Apriori, Bayerni e nis me avantazhin e mundësisë për ta luajtur ndeshjen e dytë vendimtare në shtëpi. “Pep është larguar prej kohësh nga këtu dhe tani do të shihemi sërish për herë të parë, – ka thënë Thomas Müller në një video të postuar në rrjetet e tij sociale. – Ne vërtet duam të përballemi me ekipin e tij. Personalisht jam shumë i lumtur që ndeshja e kthimit do të luhet këtu në Mynih”.

Oliver Kahn, CEO i klubit bavarez shtoi për këtë short: “Ky është një duel që mbështetësit tanë dhe tifozët e futbollit në mbarë botën e presin me padurim. Manchester City është një ekip i rangut të lartë, por ne jemi Bayerni.

Duhet të jemi dhe do të jemi të përgatitur për këtë rival të madh. Do të jetë një ribashkim me Pep Guardiolën, me Erling Haaland, me njohje të mira nga Bundesliga. Nëse doni të fitoni Ligën e Kampionëve, duhet të mposhtni më të mirët. Kjo është sfida dhe ne jemi të kënaqur ta përballojmë atë”.

Julian Nagelsmann, trajner i Bayernit është optimist: “Këtë vit duam të shkojmë më tej se edicionin e kaluar. Kjo është arsyeja pse ne duam ta mposhtim Manchester City. Është një short sfidues. Nëse në fund fitojmë titullin, askush nuk mund të thotë se kemi qenë me fat me shortin.

Beteja jonë filloi me një fazë shumë të vështirë në grupe, me Barcelonën dhe Interin që na sfiduan, më pas PSG dhe tani Manchester City. Duam të ndjekim të njëjtën rrugë edhe këtë vit. Nuk ka dyshim se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë ndaj Pep dhe City. Unë marr shumë energji dhe pritshmëri nga kjo përballje e vështirë. Do të përgatitemi mirë dhe të gjithë e presim me padurim”.

Joshua Kimmich, mesfushori gjerman nënvizoi: “Është pa dyshim një nga ndeshjet më të vështira. Megjithatë, ne kemi besim dhe personalisht mezi pres të luaj kundër Pep pas një kohe kaq të gjatë. Në përgjithësi, të gjithë futbolldashësit mezi i presin këto dy ndeshje, sepse përballen me njëra-tjetrën dy skuadra të rendit të parë.

City ka lojtarë individualë shumë të mirë, ka vite që luan në nivelin më të lartë. Ne jemi gjithashtu një ekip me shumë individë të mirë. Do të jetë një duel mes dy skuadrave që janë në të njëjtin nivel”.