Transmetuar më 18-03-2023, 13:18

Në prag të "El Clasico’, Robert Lewandowski ka dhënë një intervistë për ESPN, në të cilën analizon sezonin e tij te Barça dhe thellohet në disa emra të veçantë.

Mbërritja e tij te Barça – “Pashë që ishte një sfidë dhe pyeta veten nëse isha gati ta përballoja. Unë jam 34 vjeç, por ky është vetëm një numër. E di që mund të luaj edhe disa vite në nivelin më të lartë. Nuk e di saktësisht se sa, por gjithmonë kam qenë i lumtur duke luajtur. E dija që sezoni im i parë këtu nuk do të ishte më i përshtatshmi për të fituar tituj individualë, por kam shpresa ta mbyll si kryegolashënues”.

Barça aktuale – “Ne kemi një ekip të mirë. Ndoshta me një ose dy përforcime do të ishim më të fortë. Jo perfektë, por më konkurrues. Këtë sezon kemi pasur probleme në Champions League dhe këtu duhet të korrigjohemi. Nuk jemi ende gati për të garuar në nivelin më të lartë, për të tre titujt. Në futboll është e pamundur të ndryshosh diçka në një javë apo një muaj. Duhet kohë. Gjithmonë kam dashur të luaj në La Liga. Dihej që Barcelona ka kaluar shumë probleme, por kur pashë rrugën që drejtuesit donin të ndiqnin, thashë me vete: Dua të jem pjesë e saj”.

Ancelotti – “Si trajner te Bayern Munich më dha vetëbesim të madh. Ai më dha diçka që nuk e kisha më parë. Carlo është një njeri mbresëlënës, që kujdeset shumë për lojtarët. Për të më e rëndësishmja është të jetë njeri i mirë, të mos vetëm flasë për taktika. Ai është një njeri nga i cili duhet mësuar”.

"El Clasico" – “Është ndeshja më e rëndësishme për klubet në botë, sepse ka shumë tifozë që e shohin atë. Edhe unë e pashë kështu kur nuk isha te Barça. Tani jam pjesë e ‘El Clasico’ dhe kjo është e pabesueshme për mua”.

Surpriza – “Dembélé është lojtari që më ka befasuar më pozitivisht që nga seanca e parë stërvitore në Barcelonë. Ai ka talent, cilësi dhe është shumë i shpejtë. Mund të bëhet lojtari më i mirë në pozicionin e tij. Dembélé tashmë është ndër më të mirët. Ndonjëherë lëndohet, por nëse është në fushë mund të bëjë gjithçka me topin, sepse është talent i pastër”.

Raphinha – “Kur e pashë për herë të parë në stërvitje, thashë me vete: ky djalë ka diçka të veçantë”.

Araújo – "Për mua është një nga qendërmbrojtësit më të mirë në botë".

Stili i lojës – “Është e rëndësishme të përshtateni me ndryshimet dhe të rriteni. Mos u përpiqni të luani një stil nëse nuk keni lojtarët e duhur për ta bërë atë. Të gjithë duan të imitojnë Guardiolën e kohës së Barcelonës, por nëse shikon lojën e sotme të Manchester City, nuk luan më në atë mënyrë. Futbolli është në lëvizje të vazhdueshme. Dhjetë vite më parë të gjitha skuadrat donin të luanin ‘tiki-taka’. Tani skuadrat janë më të mira taktikisht, në mënyrën se si përgatiten dhe lëvizin në mbrojtje; si e ndryshojnë stilin e tyre gjatë zhvillimit të një ndeshje.

Gavi – “I thashë se duhet të mësojë anglisht. Nëse dëshironi të jeni një person ndërkombëtar, duhet ta bëni këtë. Shiko sa vjeç jam unë dhe po mësoj spanjisht”.

Pedri – “Ka kontroll të madh të lojës, por objektivi i futbollit është të shënojë gola, ndaj i thashë që duhet të shënojë gola dhe jo vetëm të japë asiste. I kam thënë të mos ketë frikë në sulm. I them gjithmonë Pedrit dhe Gavit: nëse kemi shënuar një gol, pse të mos luftojmë për një tjetër. Dhe nëse kemi shënuar dy gola, kërkoni të tretin”.