Transmetuar më 18-03-2023, 12:48

Tiranë- Doli sot para Gjykatës pë masën e sigurisë shefi i stërvitjes në repartin RENEA, Altin Morina. Morina u kap me 113 mijë euro në një makinë tip Audi SQ8.

Ndaj tij prokuroria ka ngritur tri akuza: pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre.

Morina, në deklaratën e tij para gjykatës, ka treguar se i ka marrë paratë nga një biznesmen, teksa është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë. “Paratë nuk vijnë nga aktiviteti kriminal. I mora 20 minuta para se të arrestohesha nga një biznesmen. Paratë i mora borxh për arsye personale. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me prokurorinë”, mësohet të jetë shprehur Morina.

39-vjeçari është prej shumë vitesh pjesë e strukturave policore. Karriera e tij ka nisur në strukturën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ish-SHÇBA e dikurshme. Morina në vitin 2012 kaloi i oficer në komisariatin numër 3 në Tiranë.

Nga atje, karriera e tij njohu vetëm rritje, pasi më pas drejtoi komisariatin e Policisë në Ballsh. Nga Ballshi, Morina kaloi në RENEA ku ishte në detyrë deri në momentin e arrestimit.