
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç do të takohen sot në një rezidencë në Maqedoni të Veriut, e cila ka një histori të veçantë.
Takimet zhvillohen në “Vila Biljana”, ish-rezidenca verore e ish-presidentit komunist të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Titos, e cila tashmë është një kompleks vilash shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Vila gjendet në një kodër të një pylli rreth gjashtë kilometra larg qytetit të Ohrit.
Kompleksi i vilave, por edhe rruga Shkup-Ohër, si dhe i gjithë qyteti i Ohrit, po ruhen nga një numër i madh i pjesëtarëve të policisë.
Për takimin e sotëm janë akredituar rreth 200 gazetarë, por nuk u lejohet hyrja në vilën e Biljanës, ndërkohë bisedimet i ndjekin nga qendra e shtypit në një hotel aty pranë.