Transmetuar më 18-03-2023, 09:13

Milani i Stefano Piolit është në pritje të ndeshjes në "Dacia Arena" kundër Udinese në Serie A, por trajneri kuqezi është thirrur të komentojë edhe shortin për çerekfinalet e Champions League: “Do të jenë dy ndeshje të mira kundër Napolit. Është e vërtetë se po bën më mirë se ne në kampionat, por Liga e Kampionëve është Liga e Kampionëve dhe Milani është Milani”.

Në Udine mund të jetë radha e Ibrës: "Ai është mirë, por nuk ka 90 minuta në këmbë. Leao? Nuk është e vërtetë që ka kaluar në depresion, e konsideroj të rëndësishëm për ne edhe kur nuk shënon".

Çfarë prisni nga ndeshja kundër Udinese?

Ne e njohim Udinese, një ekip fizik, teknik dhe shumë i drejtpërdrejtë. Do të duhet ta përballojmë ndeshjen me shumë vendosmëri.

Si e komentoni shortin e Champions League ndaj Napolit?

Një kundërshtar shumë i vështirë siç do të kishte qenë kundër kujtdo, sepse jemi në tetëshen më të mirë të Europës. Ne jemi Milani dhe duam të ecim përpara, edhe nëse Napoli është më mirë se ne në kampionat. Liga e Kampionëve është ndryshe dhe Milani është Milani.

Si ndiheni për mungesën e Ibrahimovic në Champions League?

Zlatan është mirë tani, por në momentin e përpilimit të listës së UEFA-s nuk ishte gati. Është e qartë se Ibra është Ibra dhe do të donte t’i luante dhe t’i fitonte të gjitha ndeshjet.

MIL NAP HD

Sa magjepsëse është ndeshja kundër Napolit?

Shumë stimulues, sepse është çerekfinale e Ligës së Kampionëve. Ne jemi këtu me meritë, do të luajmë për të kaluar në gjysmëfinale. Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Spallettin dhe gjithmonë e kam konsideruar një trajner të madh. Do të jenë sfida të rëndësishme, por dallimi mes kampionatit dhe Champions League është i qartë. Tani për tani le të mendojmë për Udinese.

Sa ju mungon Leao i vërtetë?

Ai po stërvitet shumë mirë, në përpjekje për të dhënë kontributin e duhur dhe për t’u përmirësuar. Jam i sigurt se ai mbetet një referencë e rëndësishme për fazën tonë sulmuese edhe pa shënuar, sepse hap mbrojtjen kundërshtare.

A ju shqetëson fakti që në Napoli gëzuan që "peshkuan" Milanin në Champions League?

Unë gjithmonë preferoj të festoj pas ndeshjeve, jo përpara.

A është koha për rotacion në formacion?

Për sa kohë të shoh që skuadra është mirë mendërisht nuk do të bëj rotacion. Në Udine duhet të fitojmë.

Cili është më i miri mes Leaos dhe Kvaratskhelia?

Ata kanë karakteristika të ndryshme. Do të jenë dy ndeshje të mira mes dy skuadrave të forta.

Cili është problemi i Leaos në këtë periudhë?

Nuk na intereson çfarë thuhet jashtë Milanello-s. Këshilla që i jap Leaos është të qëndrojë pranë atyre që duan ta bëjnë atë të rritet. Ai nuk është në depresion, e shoh të vendosur për t’u bërë një lojtar i madh. Sigurisht që nga ai priten gjithmonë gola, por është gjithashtu i rëndësishëm kur nuk i bën këto gjëra.

Në çfarë gjendje është Tonali?

Ai nuk luajti kundër Salernitanës dhe për këtë arsye ka marrë tashmë kohë për t’u rikuperuar. Bennacer është më mirë.

A është Maignan portieri më i fortë në historinë e Milanit?

Nuk e di, por me siguri është kampion në gjithçka që bën.