Transmetuar më 17-03-2023, 21:32

KOSOVË- Gjykata e Gjilanit ka dënuar me 1 vit e gjysëm burg mësuesin Kastriot Kurti, pasi ky i fundit ka ngacmuar seksualisht nxënësen Medina Dauti. Nxënësja është ngacmuar seksualisht nga Kurti prej tre vitesh. Lajmin e ka konfirmuar vetë Dauti me anë të një postimi në Facebook, ku ndër të tjera ka shprehur se si e ka përjetuar këtë situatë.

“Rrugëtimi për të arritur deri këtu ka qenë tepër sfidues, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Ndjenjat e pasigurisë, frika e vazhdueshme, cenimi i integritetit tim fizik e seksual, janë vetëm disa nga tmerret e përjetuara. Unë besoj se këtë ditë nuk do e kisha arritur pa përkrahjen e familjes sime, miqve të mi, publikut, e veçanërisht pa përkrahjen e avokates time, Rina Kika. Kjo fitore është një dëshmi e vendosmërisë së palëkundur dhe përkushtimit të saj për drejtësi. Këmbëngulja dhe profesionalizmi i Rinës për lirinë time, kanë qenë thelbësore në krejt këtë rrugëtim. Sot, nuk kam fituar vetëm unë, sot është bërë një hap përpara drejt gjykimeve të drejta dhe njohjes së përvojave të personave që përjetojnë ngacmime seksuale. Shpresoj se ky rast do t’i shërbejë institucioneve të drejtësisë si udhërrëfim për trajtimin e rasteve të tilla në të ardhmen,”- ka shkruar në postimin e saj Dauti.

Nxënësja ka rrëfyer se në vitin 2019 Kurti i ka kërkuar një lidhje dashurie. Dauti e ka refuzuar, por ai ka vazhduar ta ngacmojë seksualisht për tri vite dhe nuk u ndal as pasi gjykata e shpalli fajtor për ngacmim. Gjykata si fillim i dha një gjobë prej 1220 euro, por mbas gjashtë ditësh vazhdoi ta ngacmojë përsëri.