
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka komentuar shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, ku zikaltrit e tij do të përballen me Benfica. Ndeshja e parë do të luhet në Lisbonë, ndërsa kthimi në “San Siro”:
“Interi është kthyer në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe jemi shumë krenarë për këtë. Një klub si i yni e meriton t’i luajë këto lloj ndeshjesh. Kundër Benfica do të jenë dy ndeshje të bukura, me atmosferë fantastike dhe tensionin e duhur, gjëra të denja për rëndësinë e këtij kompeticioni.
Benfica është një ekip i fortë dhe me traditë të madhe, që e fitoi grupin e vet duke luajtur shumë mirë. Megjithatë, ne nuk mbetemi prapa. Jemi gati t’iu japim tifozëve tanë një ëndërr tjetër. Do të jenë dy sfida emocionuese dhe të komplikuara, do të japim maksimumin tonë për të mis i lënë asgjë fatit”.
Ndërkohë, Arrigo Sacchi, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, u ndal për të folur mbi Simone Inzaghi. Ish-trajneri i Milanit u shpreh: "Do të doja që të ishte më i guximshëm, të mos vinte gjithmonë një lojtar shtesë në mbrojtje, duke dobësuar mesfushën dhe mos lejuar kështu presionin.
Lojtarët e duhur janë aty, kush mund të përballojë emra si Brozovic apo Lukaku në pankinë? Tani Interit i duhet një lojë më sulmuese. Inzaghi është i mirë taktikisht, por jam duke pritur kapërcimin e tij në cilësi".