Transmetuar më 17-03-2023, 12:58

Chelsea do të luajë kundër Real Madridit në çerekfinalet e Champions League 2022-2023, ndërsa Manchester City do të përballet me Bayern Munich në një përplasje të ethshme, që ngërthen të sotmen dhe të djeshmen e Pep Guardiolës si trajner.

Blutë e Graham Potter u “peshkuan” nga kampionët e Europës në fuqi, Real Madridi në atë që do të jetë përsëritje e çerekfinales 2021-2022. Me siguri finalja e parakohëshme duhet konsideruar dueli mes Manchester City dhe Bayern Munich, ku Guardiola do të përballet me ish-klubin e tij.

Dueti tjetër çerekfinal është tërësisht italian, ndërmjet 6 herë fituesve të Ligës së Kampionëve, aktualisht kampionët e Serie A, Milanit, dhe debutuesit historik në këtë raund, Napolit. Ndërkohë, fituesi italian i Champions-it në vitin 2010, Interi, do të përballet me Benfica, e cila e mposhti Club Brugge në 1/8 finale. Pra, një tjetër kundërshtar portugez për zikaltrit e Simone Inzaghi, i cili likujdoi së fundi FC Porto.

Ja çiftet çerekfinale të Ligës së Kampionëve:

Inter-Benfica

Manchester City-Bayern Munich

Milan-Napoli

Po sot është bërë e ditur skema e gjysmëfinaleve, e cila do të mbushet me skuadrat që do të kualifikohen nag çerekfinalet. Kështu, fituesi i Milan-Napoli do të sfidojë fituesin e Inter-Benfica; ndërsa fituesi i Real Madrid-Chelsea do të ketë punë me fituesin e Manchester City-Bayern Munich.

Ndeshjet e para çerekfinale do të luhen të martën e 11 prillit dhe të mërkurën e 12 prillit, ndërsa ndeshjet e kthimit janë planifikuar për më 18 dhe 19 prill. Gjysmëfinalet do të luhen në datat 9-10 dhe 16-17 maj, ndërsa finalja është përcaktuar të shtunën e 10 qershorit në stadiumin “Atatürk” të Stambollit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd