Transmetuar më 17-03-2023, 09:24

39 gola në 26 ndeshje të këtij sezoni. Këto janë shifrat e Haaland në 2022-2023 me Manchester City, vërtet arritje mbresëlënëse. Performanca e tij e fundit si "alien" ishte në Ligën e Kampionëve, duke shënuar 5 gola në më pak se një orë kundër Leipzig dhe duke i udhëhequr "Citizens" drejt fitores tenistike 7-0.

Te Borussia Dortmundi norvegjezi lulëzoi, por pikërisht me Guardiolën arriti majat e paimagjinueshme. Brenda zonës kundërshtare është vdekjeprurës, shënon në çdo mënyrë dhe me një vazhdimësi çarmatosëse. Po cili është sekreti i tij?

Regjimi i rreptë sportiv, siç shpjegojnë tabloidët anglezë. Haaland është një nga ata lojtarë, si Cristiano Ronaldo apo Ibrahimovic, të fiksuar pas kujdesit për trupin e tyre. Pushimi dhe një dietë e shëndetshme janë shtyllat themelore të jetës dhe karrierës së tij, nga të cilat nuk mund të heqë dorë.

Edhe në foton e fundit të postuar në Instagram, ish-lojtari i Borussia Dortmundit shihet duke fjetur në divan së bashku me topin e Champions League, me të cilin shënoi 5 gola, dhe një palë syze me thjerrëza me ngjyra.

Ato i mban gjithmonë para se të bjerë në gjumë, sepse i bllokojnë dritën natyrale dhe atë të ekraneve dixhitale. “Gjumi i pasdites”, – ka shkruar ai. Haaland shkon për të fjetur gjithmonë ndërmjet orës 22:00 dhe 22:30, teksa fik të gjitha pajisjet elektronike, përfshirë celularin e tij.

Gjithashtu, ai përdor një unazë ‘Oura’, që mat cilësinë e gjumit, temperaturën, stresin dhe rrahjet e zemrës. Të gjitha mjetet që e ndihmojnë të jetë fenomeni që është në të vërtetë.