Transmetuar më 17-03-2023, 07:27

Vendi ynë do të përfshihet nga masat ajrore të qëndrueshme, duke bërë që përgjatë gjithë 24 orëshit të kemi alternime kthjellimesh dhe vranësirash të lehta.

Kthjellimet më të dukshme do të jenë në pjesën e parë të ditës në ultësirën perëndimore.

Ndërsa vranësirat pritet të theksohen gradualisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes në të gjithë territorin, ku më të fokusuara vranësirat parashikohet të jenë përgjatë gjithë shtrirjes Lindore të Shqipërisë.

Temperaturat e ajrit do të vijojnë të ulen në mëngjes por do të rriten lehtë në mesditë duke u luhatur nga -2°C deri në 18°C.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi Verior – Verilindor duke sjellë në brigjet detare dallgëzim mbi 2 ballë.

Kosova

Kushtet e qëndrueshme atmosferike do të mbizotërojnë në të gjithë Kosovën për gjatë gjithë ditës, ku në orët e para të ditës do të jetë një pjesë e mirë e territorit në dominimin e kthjellimeve.

Ndërsa në pjesën e dytë të ditës pritet që vranësirat të shfaqen në të gjithë vendin, ku më të theksuara ato do të jenë në zonat Veriore dhe Lindore. Por në vranësirat nuk do të mund të gjenerojnë reshje në vend.

Maqedonia e Veriut

Masat ajrore të qëndrueshme që kanë përfshirë pjesën më të madhe të rajonit të Ballkanit do të diktojnë kushtet e motit edhe në MV, duke sjellë intervale të gjata me kthjellime deri në orët e mesditës.

Ndërsa në vijim pritet të kemi dominim të vranësirave të lehta në të gjithë territorin e MV, ku më të dukshme do të jenë në zonat Veriore.

Rajoni dhe Evropa

Evropa Jugore dhe gadishulli Skandinav do të jenë në dominimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku në këto rajone të kontinentit do të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të lehta.

Kthjellimet më të dukshme pritet të jenë në Ballkanin perëndimor. Ndërsa pjesërisht Evropa Qendrore dhe Britania e Madhe do të mbizotërohen nga vranësirat e shpeshta, të cilat do të gjenerojnë reshje shiu. Po ashtu me vranësira të shumta por me reshje dëbore paraqitet Veriu i kontinentit evropian.