Transmetuar më 16-03-2023, 18:52

BEOGRAD- Nëse nuk e pranon plotësisht marrëveshjen evropiane për Kosovën, Serbia do të humbasë mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Përveç kësaj, Bashkimi Evropian dhe NATO do të krijojnë mundësi që Kosova të "rritet" në mënyrë të pavarur, pa bashkëpunim me Beogradin. Këto janë mesazhet kyçe të dokumentit më të fundit të diplomatëve europianë, të siguruara nga redaksia e gazetës “Nova”. Përfundimi i proceseve të integrimeve evropiane, izolimi, dhe për herë të parë pwrmendet edhe mundësia e “trazirave të brendshme”…

Përpara takimit mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili do të mbahet nesër në Ohër, një dokument i ri është prezantuar nga media serbe. Dokumenti tregon synimin e BE-së dhe Perëndimit për ta lënë plotësisht Evropën pa një konflikt të mundshëm. Vendosmëria shihet edhe në perspektivën shumë të qartë të izolimit të Beogradit dhe Prishtinës.

Vija të kuqe dhe hapa prapa

Së pari, në dokument thuhet se procesi i normalizimit do të menaxhohet nga dy kryediplomatë nga vendet jo-njohëse, Spanja dhe Sllovakia, për të garantuar drejtësi dhe unanimitet.

“Teksti përfundimtar i marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave aktuale dhe të kaluara. Është një produkt unik politik, një kompromis i brendshëm i BE-së, i cili është i pranueshëm edhe për shtetet anëtare që e njohin edhe për ato që nuk e njohin Kosovën,”- thuhet në dokument.

Sa i përket vijave të kuqe, thuhet se Serbia do të përballet me një hap prapa nga Kosova dhe në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve nuk do të insistojnë në njohje reciproke.

“Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova merr përsipër të punojë me Serbinë për të zgjidhur nevojat praktike të të gjithë njerëzve dhe komuniteteve”.

Nga ana tjetër, Serbia pritet të bëjë një hap prapa dhe të marrë përsipër të ketë marrëdhënie të plota me Kosovën.

Serbia në vend që të luftojë me Kosovën merr përsipër të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Për sa i përket përkushtimit për paqen rajonale dhe vlerat e BE-së, thuhet se Serbia dhe Kosova janë të përkushtuara për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve.

Shpërblimet dhe ndëshkimet

Nëse marrëveshja pranohet, Serbisë i parashtrohet një partneritet i fortë strategjik me komunitetin perëndimor.

“Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore ekonomike dhe politike rajonale dhe pranimi i propozimit të BE-së do ta afrojë atë me komunitetin serb të Kosovës,”- thuhet në dokument.

Nga ana tjetër: Kosova më në fund mund të rritet e pavarur.

Kur bëhet fjalë për dënimet, dokumenti thotë qartë se Beogradi dhe Prishtina kanë dy mundësi. Të pranojë marrëveshjen dhe të pajtohet me qëndrimet e të 27 anëtarëve të BE-së ose ta refuzojnë atë, gjë që ka pasoja të rënda. Në atë rast, rruga e dy vendeve drejt integrimit europian do të ndalet dhe në të njëjtën kohë do të humbasin të gjitha përfitimet.

“Shpejt do të pasojnë izolimi dhe trazirat e brendshme. Serbia dhe Kosova mund të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e marrëveshjeve ekzistuese me BE-në dhe pjesën tjetër të komunitetit perëndimor vetëm nëse angazhohen plotësisht që të bëhen lojtarë konstruktivë në BE dhe në përpjekjet perëndimore për ndërtimin e paqes dhe stabilizimin. Në të kundërt, nuk ka rrugëdalje,”- thuhet në dokument.

Dështimi i Serbisë për të harmonizuar pozicionin e saj me BE-në do t’i krijojë një mundësi Kosovës që të rritet pa pasur nevojë të bashkëpunojë me Beogradin.

“Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe mbështetjen e 5 vendeve që nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht nga rezultati, BE-ja dhe NATO-ja në fund do të flasin me një zë për Kosovën”.

Kosova, nga ana tjetër, duhet të përmbushë plotësisht pritshmëritë e komunitetit perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për respektimin e marrëveshjeve të kaluara.

“Refuzimi i Kosovës për ta bërë këtë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës”.