Transmetuar më 16-03-2023, 15:48

Tiranë- Pas më shumë se dy vitesh, vrasësi i Behar Sofisë është zbërthyer dhe ka treguar më shumë detaje rreth krimit të kryer, si dhe ka zbuluar një porosi tjetër, që i ishte ngarkuar.

Ai ka treguar se të njëjtët persona që kishin porositur vrasjen e Behar Sofisë, i kishin ngarkuar edhe një tjetër detyrë.

Ernejt Shyti, i cili vrau Sofinë më 25 shkurt 2021 në një prej rrugëve më të frekuentuara në Tiranë, zbulon se vrasjen tjetër do ta kryente në Gjermani dhe për këtë ekzekutim do të paguhej gjysmë milioni euro. I riu tregon se shënjestra e radhës ishte një 34-vjeçar.

Gjithsesi, ai nuk e ka bërë publik emrin dhe nuk ka treguar nëse personi në fjalë ishte shqiptar. Paratë, ka shtuar Ernejt Shyti, do t’i merrte nga një person që njihej si "Bajlozi", por që ai nuk e kishte idenë se kush ishte.

66-vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge” në vendin tonë, u vra rreth orës 09:00 të 25 shkurtit teksa ecte me këmbë pranë Piramidës. Ai u ndoq nga Shyti, i cili i veshur me maskë Covid-19 e qëlloi dy herë me armë zjarri.

Bashkë me Shytin janë arrestuar edhe Xhuliano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leze, që dyshohen si bashkëpunues në vrasjen e Sofisë, por deri më tani ata kanë mohuar akuzat.