Transmetuar më 16-03-2023, 10:52

Lajm i bujshëm nga Spanja. La Liga ka nënshkruar një kontratë sponsorizimi nga viti 2017 deri më 2020 me kompaninë iraniane të teknologjisë "Mtn Irancell" me vlerë 770 mijë euro. Një kompani e shënjestruar nga Departamenti Amerikan i Thesarit dhe NATO për lidhjet e saj me regjimin e Ajatollahëve.

Sipas gazetës spanjolle "Ok Diario", si Pakti i Atlantikut, ashtu edhe SHBA-ja janë të bindur se "Mtn Irancell" ka një lidhje të drejtpërdrejtë me grupin terrorist IRGC (Garda Revolucionare Islamike), e njohur më mirë si "policia morale e Ajatollahëve". Përveç kësaj, kjo organizatë dhe liderët e saj figurojnë në listat e objektivave terroriste të SHBA, Bahreinit dhe Arabisë Saudite.

Departamenti Amerikan i Thesarit ka disa vite që heton lëvizjet e "Irancell", me dyshimin se është një nga kompanitë e përdorura nga Teherani për të blerë mallra jashtë vendit, duke anashkaluar kështu të gjitha kontrollet. Prandaj, administrata amerikane përpiqet të parandalojë që organizatat me qëllime të errëta si blerja e armëve apo sulmet e ardhshme terroriste të paguhen me para nga Perëndimi.

Në këtë kontekst, La Liga kishte nënshkruar kontratën e sponsorizimit me kompaninë iraniane në Madrid më 12 dhjetor 2017, me Javier Gómez Molina, menaxher i përgjithshëm i korporatës së La Liga-s dhe Adolfo Bara Negro, drejtor i shitjeve dhe marketingut të së njëjtës ligë. Dokumenti më pas njohu "Iranll Telecommunications Services Iranll" (PJSC) si një partner rajonal. Në këmbim, La Liga është bërë ofruese e përmbajtjes së futbollit për këtë operator.

Pika qendrore e kontratës ndërmjet La Liga dhe "Irancell" është klauzola 10: "La Liga deklaron se është në dijeni të sanksioneve aktuale të vendosura ndaj Republikës Islamike të Iranit, që nga data e kësaj marrëveshjeje, nga organizata ndërkombëtare dhe qeveri të ndryshme, çka nuk do të konsiderohet çështje e forcës madhore”.

Më pas sqarimi: “Në çdo rast, çdo modifikim në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj Iranit, që mund të shkaktojnë ndikim negativ në reputacionin e La Liga-s, do të konsiderohet si çështje e forcës madhore dhe mund ta ndërpresë këtë marrëveshje, në zbatim të nenit 15".

Disa javë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje fillestare, Irani do të përjetonte ditë të dhunës maksimale me mijëra vdekje dhe arrestime për shkak të protestave të brendshme.