Transmetuar më 16-03-2023, 09:34

Bjellorusia do ta nisë fushatën e saj kualifikuese kundër Zvicrës më 25 mars, në Serbinë neutrale, një vendim që ka shkaktuar pak shqetësim te zviceranët. Lojtarët me rrënjë familjare në Kosovë dhe Shqipëri, përfshirë Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, mund të përballen me një pritje armiqësore në qytetin e Novi Sadit.

Në grup janë edhe Izraeli, Rumania, Andorra dhe Kosova. Ndërkohë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dy "shqipet" e kombëtares helvete, do të qëndrojnë dy ditë në Beograd dhe Novi Sad me përfaqësuesen e Zvicrës. Askush nuk do të mund t’i shikojë nga afër, shkruan sajti serb “alo.rs”.

Zvicra do të sfidojë më 25 mars Bjellorusinë në Novi Sad, në ndeshjen e parë kualifikuese për "Euro 2024". Duke qenë se UEFA nuk e lejon të luajë në shtëpi prej pushtimit rus të Ukrainës, Bjellorusia ka zgjedhur Novi Sadin për këtë kualifikuese të grupit I të eliminatoreve për “Euro 2024”.

“Ndeshja do të jetë e mbyllur për publikun, me vendim të UEFA-s. Edhe akreditimi për gazetarët nuk do të jetë i mundur. Policia do të jetë rreth stadiumit dhe do të parandalojë çdo grumbullim pranë stadiumit ‘Karagjorgje’ në Novi Sad”, – ka shkruar sajti serb.

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka e kanë eliminuar dy herë Serbinë nga Botërori, më 2018 dhe 2022. Në “Rusia 2018” dhe “Katar 2022” dy "shqipet" e Zvicrës ishin target i fyerjeve të huliganëve serbë, por janë përgjigjur në mënyrën më të mirë, me gola në fushën e lojës.

Treshja Shaqiri-Xhaka-Ardon Jashari i kanë çmendur serbët në Katar. Shaqiri shkëlqeu në fushë, Xhaka zhvilloi po ashtu një ndeshje të madhe, ndërsa Jashari ia dha fanellën Xhakës për të festuar në fund. Mbiemri Jashari (duke nënkuptuar Adem Jasharin) u mor si provokim i rëndë nga serbët.

Bjellorusët ende nuk kanë vendosur se ku do ta organizojnë ndeshjen e 19 qershorit kundër Kosovës. Është e qartë se nuk do të luhet në territorin e Serbisë. Ndonëse do të ketë shumë policë e sigurim, është pak e mundur që Xhaka dhe Shaqiri ta kalojnë mirë në Serbi.

Provokimet e ndryshme ndaj tyre priten. “Po vijnë provokuesit: Xhaka dhe Shaqiri vijnë në Serbi, policia do t’i ruajë në secilin hap”, – ka shkruar sajti tjetër serb “espreso.rs”.