Transmetuar më 15-03-2023, 20:39

Koalicioni opozitar nën emrin ‘Bashkë Fitojmë’ është dërguar për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbrëmjen e sotme, raporton noa.al.

Në këtë koalicion bëjnë pjesë Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia e Lirisë, Partia Demokratistiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Dorëzimi i dokumenteve të regjistrimit në KQZ është bërë nga nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Brahimllari.

“Bashkë Fitojmë” është pagëzuar koalicioni midis PDK-së, PL-së dhe PBDNJ-së, koalicion në të cilin do të jetë i përfshirë edhe Rithemelimi i Sali Berishës, por me emrin zyrtar të partisë, PD.Lideri i këtij koalicioni, do të jetë Sali Berisha.

Lajmi është konfirmuar edhe nga KQZ, e cila pohoi sonte paraqitjen e kërkesës zyrtare të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Ajo që bie në sy është fakti se në kërkesën e paraqitur nga Partia e Lirisë në KQZ me firmën e Endrit Braimllarit, në listën e partive përbërëse të koalicionit figuron edhe Partia Demokratike e Shqipërisë.

Nisur nga zhvillimet dhe vendimet në KQZ është e paqartë nëse formulimi “Partia Demokratike Shqipërisë” do të miratohet, duke pasur parasysh se kryekomisoneri Celibashi ka njohur si kryetar ligjor të PD, Lulzim Bashën.

Komisioneri me vendimin nr. 172, datë 14.03.2023 vendosi mospranimin e kërkesës për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë me kryetar z. Lulzim Basha, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. Pas vendimit pati ankimim nga Sali Berisha dhe kjo ankesë pritet të shqyrtohet të enjten. /noa.al