Transmetuar më 15-03-2023, 16:45

Tatimi mbi të ardhurat personale të të punësuarëve vijon të mbetet një çështje e debatit mes ekspertëve, qeverisë dhe ligjvënësve.

Më poshtë gjeni ndryshimet në këtë tatim, sipas nivelit të pagave si dhe reagimet që shoqërojnë këto ndryshime, të analizuara nga rtsh.

Projekti është debatuar gjatë në vitin 2022 dhe Parlamenti nuk vendosi ta miratojë së bashku me paketën fiskale të fundivitit, duke e shtyrë për vitin 2023.

Drafti i ri i përmirësuar sipas vërejtjeve të bëra nga grupet e ndryshme të interesit, por edhe institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë FMN, është gati për t’u debatuar serish, sipas procedurës përkatëse.

Sikurse shihet edhe nga tabela që shoqëron projektligjin, pagat deri në 50 mijë lekë do të kenë normë tatimore mujore zero për qind.

Për të gjithë ata që kanë pagë mujore nga 50 mijë lekë deri në 60 mijë, nuk do të paguajnë tatim mbi pagën deri në shumën 35 mijë lekë. Por pas kësaj shume deri në 60 mijë lekë do të paguajnë 13 për qind të shumës mbi 35 mijë lekë.

Ndryshimi tjetër i rëndësishëm prek të gjithë ata paguhen mbi 60 mijë lekë në muaj. Kështu për pagat nga 60 mijë deri në 200 mijë lekë, pagamarrësi do të paguajë 13 për qind të shumës mbi 30 mijë lekë, ndërsa për pagamarrësit mbi 200 mijë lekë, do të paguhet një shumë e përbërë nga 22 mijë e 100 lekë plus 23 përqind e shumës mbi 200 mijë lekë.

Ndryshimet e mësipërme janë paraqitur në komisionet e Kuvendit dhe pritet diskutimi i tyre dhe më pas dërgimi për miratim në seancën plenare.

Ekspertët komentojnë se nuk ka asnjë ndryshim apo reflektim të rëndësishëm të kërkesave dhe sugjerimeve të palëve të interesit, në veçanti për shërbimet profesionale.

Shtresa e profesionistëve, e drejtuesve të biznesit dhe të individëve që janë vendimtarë me ekspertizat e tyre për zhvillimin e vendit vijojnë të tatohen në nivel mjaft të lartë, krahasuar edhe me rajonin.

Edhe pse janë miratuar dhe kanë kaluar në diskutim ndryshimet që lidhen me profesionet e lira, projektligji e mban tatimin mbi profesionet e lira që ushtrohen si të vetëpunësuar, duke i konsideruar të ardhurat si të ardhura nga paga dhe jo si të ardhura nga biznesi.

Ekspertët e fushës këmbëngulin se ky projektligj nuk i jep zgjidhje problemeve, si të vjetra, ashtu dhe ato që lindin nga dixhçitalizimi i ekonomisë dhe tregtisë.

Trajtimi me 23% i personave fizikë të regjistruar si profesionistë është i padrejtë, sipas tyre dhe shtyn në informalitet.

Shoqëritë tregtare taksohen me 15%, ndërsa personat e vetëpunësuar 23%. Edhe pse legjislativi ende nuk ka vendosur për ta miratuar këtë projekt, grupe interesi që tani kanë deklarua se i vetmi apelim mbetet Gjykata Kushtetuese.