Transmetuar më 16-03-2023, 08:36

Babai i Leo Messit, Jorge Messi, ka udhëtuar në Arabinë Saudite për t’u takuar me Ministrinë e Sporteve të këtij vendi me synimin për të analizuar një projekt për shkollat e futbollit për fëmijë.

Ky është takimi i parë për të analizuar bashkëpunimin e mundshëm mes dy palëve, për të promovuar futbollin bazë në Arabinë Saudite, një vend që dëshiron të promovojë këtë sport dhe është kandidat për organizimin e Kupës së Botës 2030.

Ky udhëtim i Jorge Messit në Arabinë Saudite nuk ka të bëjë fare me mundësinë që Leo Messi, sezonin e ardhshëm të luajë për ndonjë klub të këtij vendi, siç ka bërë Cristiano Ronaldo.

Messi është në bisedime me PSG-në për të rinovuar kontratën dhe nuk ka asnjë ofertë tjetër në tavolinë, as nga Barça, as nga MLS dhe as nga Arabia Saudite. Sigurisht, Messi së fundi ka qenë ambasador turistik në Arabinë Saudite.