Transmetuar më 15-03-2023, 14:02

Ibra është kthyer. Ai mbetet i pavdekshëm. Trajneri i kombëtares suedeze, Janne Andersson, e ka thirrur atë për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024” kundër Belgjikës dhe Azerbajxhanit më 24 dhe 27 mars. Zlatan rikthehet në kombëtare pas një viti.

Paraqitja e tij e fundit daton më 29 mars 2022 kundër Polonisë. Ditët e fundit trajneri ishte shprehur kështu: “Edhe nëse nuk e nis dot si titullar, mund të na japë shumë përsa i përket personalitetit dhe përvojës”.

Pas thirrjes së sulmuesit veteran të Milanit, trajneri Andersson përsëriti konceptin e tij: "Ne kemi qenë gjithmonë në kontakt, edhe gjatë dëmtimit të Ibrahimovic.

Tani është mirë dhe mund të japë kontributin e tij në fushë. Edhe për sa i përket personalitetit dhe përvojës, ai i shton shumë ekipit tonë kombëtar. Në këtë kuptim, Zlatan është një lojtar unik”.

Ibra është 41 vjeç e 5 muaj. Ai u rikthye për të luajtur kundër Atalantës pas një kalvari të gjatë prej më shumë se 200 ditësh. Në tri ndeshjet e fundit luajti si zëvendësues, duke shkuar pranë shënimit ndaj Salernitanës.

Me Suedinë ai shënoi 62 gola (golashënuesi më pjellor i të gjitha kohërave për këtë kombëtare) dhe luajti 121 ndeshje. Golat e tij të fundit datojnë më 17 nëntor 2015, dopietë kundër Danimarkës, ndërsa thirrja e parë në kombëtare daton në vitin 2001.

Shumë nga bashkëlojtarët e tij aktualë ishin një vjeç ose nuk kishin lindur ende. Andersson ka thirrur gjithashtu Erik Holm dhe Albin Ekdal të Spezia dhe Isak Hien të Veronës, si dhe disa ish-lojtarë të Serie A si Kulusevski, Olsen, Quaison dhe Svanberg. “Nuk e shoh Ibrën si titullar, – saktësoi trajneri Andersson, – por të përdoret gjatë lojës si te Milani”.