
Bazuar në fitoren 5-2 në ndeshjen e parë në "Anfield", Real Madridi e ka në xhep kualifikimin për në çerekfinale të Champions League. Megjithatë, Carlo Ancelotti nuk i beson Liverpool-it. Mesazhi është i thjeshtë: "Nuk është ideja jonë të bëjmë llogari. Duhet të futemi në fushë me entuziazëm maksimal për të fituar ndeshjen".
Trajneri italian tha në konferencën për shtyp se Benzema është mirë, është shëruar: "Mosmarrëveshja e Benzema me Deschamps? Në Itali thonë: mes burrit dhe gruas mos vendosni as gishtin". Pra, rezultati i ndeshjes së parë nuk do ta ndryshojë mentalitetin e Realit të tij.
"Ne bëmë shumë gjëra mirë në ndeshjen e parë, – shpjegoi Ancelotti. – Nuk do të planifikojmë një lojë në mbrojtje, por duam të luajmë futbollin tonë më të mirë sulmues. Edhe lojtarët e kuptojnë këtë.
Kjo është arsyeja pse unë mendoj se do të jetë një ndeshje e hapur. Duhet t’i bëjmë të dyja aspektet e lojës mirë: të mbrohemi dhe të sulmojmë, por do të mendojmë më shumë për të sulmuar”.
Ancelotti iu përgjigj edhe Hazardit, i cili në një intervistë për mediat belge tha se nuk fliste me trajnerin nga Reggiolo: “Marrëdhënia jonë nuk është e ftohtë. Unë flas pak me të, por të flasësh është çështje karakteri. Me një person kaloni më mirë se me një tjetër.
Më e rëndësishmja për mua është që ai të më respektojë, ashtu siç e respektoj unë. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Nuk do ta mohoj që në vend të tij ka një lojtar që kontribuon shumë, ai është Vinicius”.