Transmetuar më 15-03-2023, 11:26

Zgjedhja e Pep Guardiolës për ta zëvendësuar Erling Haaland gjysmë ore para përfundimit të ndeshjes kundër Leipzig po shkakton diskutime në Angli dhe Spanjë. Arsyeja shpjegohet lehtësisht: qendërsulmuesit norvegjez, autor i 5 golave në ndeshjen e mbrëmshme, e vlefshme për 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, i është mohuar mundësia për të kapërcyer një rekord, që tani e mban së bashku me Lionel Messin.

Në fakt, ata të dy janë të vetmit lojtarë që kanë shënuar 5 gola në një ndeshje të vetme,në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve. Prandaj, ka nga ata që nënkuptojnë se Guardiola donte “ta ruante" disi epërsinë e “nxënësit” të tij të dikurshëm te Barcelona.

Vetë trajneri komentoi: "Më kujtohet mirë kur Leo shënoi 5 gola (kundër Bayer Leverkusen, në mars 2012). Erling është shumë i ri dhe ky duhet të jetë një motiv shtesë për ta thyer këtë rekord në të ardhmen.

Çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishte luajti 90 minuta? Ai është një djalosh i jashtëzakonshëm, me mentalitet të pabesueshëm. Nëse do ta kishte thyer këtë rekord në moshën 22-vjeçare, do të mërzitej në të ardhmen".

Nga ana e tij, Haaland zbuloi se çfarë i tha trajnerit teksa largohej nga fusha: “I thashë se do të doja të shënoja një ‘hat-trick’ të dyfishtë (6 gola)”. Në fakt, ish-sulmuesi i Borussia Dortmundit shënoi 3 gola në pjesën e parë dhe 2 gola në pjesën e dytë ndaj Leipzig, në fitoren e thellë 7-0 të Manchester City ndaj skuadrës gjermane.