Transmetuar më 15-03-2023, 09:24

Është një Simone Inzaghi me dëshirë për hakmarrje, ai që paraqitet para mikrofonave të “Mediaset”, pas barazimit 0-0 në kthimin ndaj Portos, gjë që i jep Interit çerekfinalet e Champions League pas 12 vitesh pritje.

"Ne luajtëm një ndeshje të shkëlqyer, djemtë bënë shumë mirë, – janë fjalët e para të trajnerit zikaltër. – Jemi një grup i madh, që u kompaktësuam kundër një skuadre aspak e lehtë për t’u përballur. Pas një pjese të parë të shkëlqyer, në pjesën e fundit të lojës vuajtëm të gjithë bashkë, por përulem para këtij grupi që bëri historinë e Interit”.

Në fund të lojës, Porto goditi shtyllën dhe traversën, por trajneri zikaltër nuk flet për fat e as për hakmarrje personale, pas kritikave të marra: "Unë nuk besoj te fati, në futboll ka rëndësi relativisht.

Mendoj se skuadra e meritoi çerekfinalen referuar dy ndeshjeve. Luajtëm 180 minuta të nivelit të lartë, duke mos pësuar gol ndaj një skuadre të madhe. Të mos harrojmë që vitin e kaluar ne arritëm në raundin e dytë pas një kohe të gjatë, tani do të luajmë çerekfinalet me shumë besim.

Hakmarrje personale? Jam shumë i qetë dhe i matur. Kur të vijë koha do të flas me qetësi, sepse ia kam borxh vetes dhe familjes time. E di kush më kritikon, por gjithashtu e di kë duhet të dëgjoj dhe kë jo”.

Së fundi, një batutë edhe për kampionatin, ku Interi po ndjek Napolin në distancën e 18 pikëve: "Ne jemi të dytët dhe duam të mbrojmë pozicionin tonë. Ndonjëherë nuk duket ashtu, por Interi është i dyti në Serie A, në çerekfinale të Champions League dhe në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Të dielën përballemi me Juventusin, mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, por tani le ta shijojmë këtë sukses”.