Transmetuar më 14-03-2023, 17:52

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka sulmuar gjithashtu kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi pas vendimit që asnjë nga PD-të nuk do të regjistrohen në zgjedhje. Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Alibeaj tha se Celibashi bëri një shërbim politik dhe se vendimi i tij ishte i ndikuar, ndaj dhe e la opozitën jashtë zgjedhjeve. Po ashtu ndër të tjera, ai shtoi gjithashtu se vendimi do të apelohej në KAS. “Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD.

Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së! Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj.

Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin!!,”-shkruan Alibeaj.

Asnjë nga Partitë Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Sot, sipas KQZ, legjitimitetin për të kërkuar legjitimitetin për regjistrimin e PD në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili ligjërisht figuron kryetar, edhe pse ka dhënë publikisht dorëheqjen. Por problem është fakti që Basha nuk ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin në zgjedhje.