Transmetuar më 14-03-2023, 17:40

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, ka rrëzuar kërkesën e PD-së së drejtuar nga Alibej për regjistrim në zgjedhjet vendore të 14 majit, si dhe ka njohur Bashën për kryetar të PD-së dhe jo Berishën.

“Vendos mospranimin e kërkesës së Partisë Demokratike të Shqipërisë me kryetar zotin Lulzim Basha, për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e datës 14 maj 2023. Kundër këtij vendimi keni të drejtë të ankimoni në KAS brenda 3 ditësh”- ky ishte vendimi i Celibashit, i cili nuk u tërhoq nga ajo çka kishte vendosur pak ditë më parë.

Sipas tij, nga momenti që u kërkuam të vihet në dispozicion një dokumentacion i plotësuar nga ana e PD-së, për të përmbushur të gjitha kushtet si subjekt zgjedhor, dhe, meqënëse nuk ka asnjë dokument tjetër, jemi në të njëjtën situatë si seancën e shkuar.

“Meqënëse nuk kemi kërkesë tjetër shtesë, unë mendoj që të japim vlerësimin tim mbi kërkesën për regjistrimin e PD-së për zgjedhjet e 14 majit 2023. Kjo çështje ka patur një shqyrtim administrativ. Vetëm nga aktet dokumentare, është e qartë për këdo që i ka njohur këto dokumente se çështja e përfaqësimit ligjor ka qenë në diskutim. Këtu nuk marr në konsideratë konfrontimin tuaj në këtë çështje, pasi nuk është në interesin e KQZ-së.”- tha Celibashi.

Sipas tij, qëndron pretendimi i njërës palë që Lulzim Basha është kryetar i PD-së, pasi kështu rezulton në regjistrimin e partive politike dhe nuk qëndron qëndrimi i PD-së se Sali Berisha është kryetar i PD-së.

“Pala e Bashës, që ka paraqitur kërkesën për regjistrimin në zgjedhje, ka legjitimitetin e plotë. Pra në vlerësimin tim, në pikëpamje formale, Lulzim Basha, ose persona të autorizuar, kanë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për t’u paraqitur si subjekt zgjedhor.”- tha Celibashi.

"Asnjë njëri i shantazhueshëm dhe që nuk respekton ligjin, nuk meriton asnjë respekt. Ilirjan Celibashi ka humbur besimin e PD për të administruar procesin zgjedhor”.

Ky ishte reagimi i sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi pasi KQZ vendosi që të mos regjistrojë Partinë Demokratike të Shqipërisë me kryetar Bashën për zgjedhjet e 14 majit.

“Ai shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike” shkruan Bardhi në një postim në rrjetet sociale duke shtuar se vendimi do të ankimohet menjëherë në KAS.

Në një reagim për mediat Celibashi i indinjuar tha se nuk ishte shantazhuar dhe ndjente keqardhje për Bardhin.

“Për këdo që e ka njohur karrierën time profesionale unë jo vetëm që nuk jam i shantazhueshëm por kam dedikimin profesional për të zbatuar ligjin. Më vjen keq për zotin Bardhi. Është e papranueshme gjuha që ai përdor dhe në mënyrë të papërgjegjshme".