Transmetuar më 14-03-2023, 14:40

Partia Demokratike që kontrollohet nga Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij kanë vendosur të futen në një godinë të re.

Këtë e pohoi deputeti demokrat Gazment Bardhi në një intervistë në rtsh që monitoroi noa.al.

Bardhi tha se grupi i tyre nuk do të kthehet në selinë e njohur prej të gjithëve, përsa kohë grupimi i zotit Berisha do të jetë atje.

“Në kushtet kur njëra palë nuk ka ndërmend të zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit, ne nuk mund të përsërisim atë që bëri zoti Berisha në 8 Janar, të nxisim një luftë mes demokratëve”, – tha Bardhi.

Gazment Bardhi sqaroi se "PD zyrtare është vendosur në një godinë private, pranë kryesisë së Kuvendit" dhe shtoi:

“Kemi marrë masat për të marrë një godinë të re ku do të ushtrojë funksionet Partia Demokratike deri në momentin që zoti Berisha të vlerësojë se në një shtet ligjor vendimet e gjykatave duhet të respektohen, siç zbatuam ne një vendim gjykate, edhe pse nuk ishte i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm”.

Bardhi tregoi dhe planet që ka grupi Basha për periudhën pas zgjedhjeve lokale, duke nënkuptuar se tashmë ata janë të sigurt se vendimi që mori Apeli nuk jep më shanse që Berisha të ketë PD nën kontroll.

Ai tha se pas zgjedhjeve të 14 Majit, PD do të hyjë në një proces të thellë të ristrukturimit dhe riorganizimit, gjë që ai preferon ta shohë si proces të të gjithë demokratëve, të pandarë në grupime.

“Gjykoj që PD nuk duhet të jetë e ndarë në pjesë, por të gjithë bashkë duhet të bëjmë të mundur për të patur një Parti Demokratike jo vetëm me të gjithë anëtarët e saj, siç ka qenë në këto 32 vite, por edhe një parti që i hapet shoqërisë dhe thith sa më shumë individë për ta forcuar dhe për ta bërë alternativë qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshëm”, u shpreh Gazment Bardhi.