Transmetuar më 14-03-2023, 13:47

Portieri i Bayern Munich, Yann Sommer, premtoi se do t’i dorëzonte Matthijs de Ligt një kamion plot me çokollatë zvicerane. Këtë premtim ai e bëri pas ndeshjes së kthimit të 1/8 finale të Champions League kundër PSG, ku mbrojtësi holandez e largoi topin që po i drejtohej rrjetës së tij, me Sommer të mposhtur dhe autor të një gafe foshnjarake.

Pra, ish-lojtari i Juventusit deri verën e kaluar ia shpëtoi nderin portierit zviceran. Veç fjalës “faleminderit” dhe përqafimeve që ndodhën në fushën e “Allianz Arena”, Sommer deklaroi publikisht se i ka borxh një dhuratë të stërmadhe kolegut të vet.

Kjo dhuratë ishte një kamion plot me çokollatë zvicerane. Në fund, 700 kilogramët çokollatë nuk përfunduan te shoku i skuadrës, De Ligt, por te banka lokale e ushqimeve. Nga aty, çokollata u shpërnda për bamirësi në institucione të ndryshme të Mynihut, sepse holandezi nuk mund ta konsumonte tërë atë ngarkesë, aq më tepër që dieta sportive nu kia lejon.

Gafa e portierit të Bayernit – Kur rezultati ishte 0-0 në pjesën e parë, Sommer fatkeqësisht humbi topin në zonën e tij të penalltisë, kështu që Vitinha mendoi se mund ta rrëshqiste topin pa shumë forcë në goditje drejt rrjetës. Megjithatë, lojtari i PSG nuk kishte llogaritur De Ligt, i cili evitoi golin e parë francez me një rrëshqitje e bukur në vijën fatale të portës së vet.

Sommer e falënderoi më pas, para kamerave, shokun e tij të skuadrës: “Do të sjell një kamion plot me çokollatë zvicerane para derës së shtëpisë suaj. E humba topin dhe papritmas nuk pata zgjidhje. Nëse kjo do të kishte shkuar keq, loja do të kishte dalë shumë ndryshe”.

Zvicerani porositi kamionin e premtuar plot me çokollatë nga prodhuesi “Kägi” në vendin e tij. Kur shoferi ishte rrugës për në kompleksin e Bayern Munich, atij iu tha nga klubi gjerman se De Ligt nuk mund ta merrte dhuratën lozonjare të Sommer nga regjimi sportiv që i nënshtrohet, ndaj u planifikua për bamirësi.

https://youtu.be/RhCAhgXli-c?t=11

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd