Transmetuar më 14-03-2023, 12:52

TIRANË- Humb jetën një besimtare në Kishën e Shna Ndout në Laç. E ndjera po ndizte qiri në një shpellë tek Kisha e Laçit, kur është rrëzuar nga lartësia dhe ka marrë dëmtime të rënda në kokë.

E moshuara është dërguar për në spitalin e Traumës me autoambulancën e Laçit pasi ka marrë plagë të rënda.

Fatkeqësisht, gruaja ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Traumës nga frakturat e rënda që kishte marrë në kokë.

Dyshohet se 60-vjeçarja u rrëzua teksa ishte në pelegrinazhin e kishës, në momentin që po ndizte një qiri.

Ndërkohë, ende nuk dihen qartë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, gruaja mendohet të jetë rreth moshës 60 vjeç.

Ajo nuk është identifikuar akoma pasi nuk ka pasur dokumenta me vete dhe në momentin e ngjarjes nuk ka qenë e shoqëruar nga njeri.

E marta e 14-marsit shënoi nisjen e pelegrinazhit në kishën e "Shna Ndout" në Laç.

Që prej orëve të para të mëngjesit, qindra besimtarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë iu drejtuan këtij vendi që e konsiderojnë të shenjtë.