Transmetuar më 14-03-2023, 12:00

Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në Selenicë të Vlorës, ku një 36 vjeçar është qëlluar me armë, pasi më parë ishte dhunuar dhe kërcënuar.

Në pranga ka rënë autori i ngjarjes, 33-vjeçari me inicialet E.B. Ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.

“Të dy këta shtetas, me precedent kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Shërbimet e Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Ramicë, 2 shtetas kishin qëlluar me armë zjarri, në drejtim të një 36-vjeçari, kanë organizuar punën me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

33-vjeçari me inicialet E.B dhe bashkëpunëtori i tij 30-vjeçari me incialet J.Rr dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe dhunuar shtetasin G. L., 36 vjeç, i cili punonte çoban, në fshatin Ramicë, për t’i marrë atij një shumë parash.

“Të dy këta shtetas, pasi nuk kanë marrë paratë e kërkuara nga 36-vjeçari, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të tij.

Shtetasi G. L. ka mundur të fshihet dhe t’u shpëtojë të shtënave. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, përfundon në njoftimin e saj policia.