Transmetuar më 14-03-2023, 10:53

Kur Cristiano Ronaldo vendosi ta tejkalonte lejen me modifikimin e apartamentit nën çati (penthouse), të cilin e bleu në Lisbonë, lajmi u bë “viral” dhe interneti u nda mes memeve, opinioneve e komenteve të ndryshme.

Tashmë, CR7 ka një zgjidhje për të korrektuar sipërfaqen e apartamentit që bleu në “Rua Castilho”, në Lisbonë, për më shumë se 7 milionë euro. Pasi u detyrua të hiqte markezën e diskutueshme që kishte instaluar pa leje, futbollisti dëshiron të ketë gjithë komoditetin dhe privatësinë kur ndodhet në apartamentin luksoz në Lisbonë, ndaj i ka kërkuar Këshillit Bashkiak të Lisbonës leje për të vazhduar me punimet.

Dhe, tashmë dihet, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” dëshiron të vendosë një pjergull në faqe të apartamentit luksoz. Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, Cristiano Ronaldo do të ketë kohë deri në korrik për të finalizuar ndryshimet. Apartamenti luksoz është blerë në vitin 2019 për më shumë se 7 milionë euro.

Më vonë, Cristiano Ronaldo vendosi të bënte disa modifikime në çati, diçka që u refuzua nga José Mateus, arkitekti i pallatit. Në qershor të vitit 2021, Këshilli i Qytetit të Lisbonës vendosi t’ia shembë shtesat jashtë lejes së ndërtimit, diçka që ndodhi në shtator të atij viti.

Duke jetuar në Arabinë Saudite që nga fillimi i vitit, CR7 ka ndjekur evolucionin e projektit nga distanca. Teksa shoqëron ndryshimet në këtë “penthouse”, ylli portugez po ndjek edhe ndërtimin e rezidencës ku synon të jetojë me familjen e tij në “Quinta da Marinha”, Cascais.

Ronaldo ka thënë tashmë se kur të përfundojë karrierën si futbollist, dëshiron që Lisbona të jetë vendbanimi i familjes së tij.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd