Transmetuar më 14-03-2023, 09:32

Gerry Cardinale, numri një dhe themeluesi i "Red Bird", aksionari shumicë te Milani, mori pjesë në "Sloan Sports Analytics Conference". Ai ka folur në përgjithësi për investimet në botën e sportit, por ka prekur edhe Milanin.

"Pasioni im për futbollin evropian është i kohëve të fundit, – pranoi ai. – Për shumë vite nuk isha i interesuar, sepse duhej të studioja situatën, të gjeja një mënyrë për të pasur nivel të mirë të performancës, duke rritur fluksin e parave. Për 5 vite mësuam dhe pastaj filluam të lëviznim”.

Kështu erdhi investimi te Toulouse (më 2020), më pas partneriteti me "Fenway Group" për aksionet e Liverpool-it më 2021 dhe në fund operacioni i lidhur me Milanin (2022): “Me Toulouse kemi bërë një investim, duke u nisur vetëm nga të dhënat, më pas e ngritëm nivelin me ‘Fenway Group’ dhe më në fund arritëm te Milani, një nga markat më të mëdha në futbollin evropian.

Berlusconi ishte oligarku i parë, ai ishte George Steinbrenner i kohës së tij. Nuk e dija që vetëm Real Madridi kishte më shumë Champions League se kuqezinjtë, një pasuri që nuk e kemi shfrytëzuar sa duhet. Milani me të drejtë ka një vend në tabelën e më të mirëve dhe detyra jonë është ta rikthejmë në majë. Dua të përcjell mentalitetin dhe metodat e mia në Evropë".

Cardinale synon të pasurojë "palmaresin" e Milanit: “Natyrisht që ne duam të fitojmë, të njëjtin synim që e kanë të gjithë, por nëse e shikojmë çështjen duke hequr emocionet, pra vetëm duke arsyetuar siç bëjnë investitorët, qëllimi është të performojmë mirë.

Ne duhet të jemi konkurrues në Serie A dhe të konkurrojë me Premier League dhe La Liga përmes të drejtave televizive, jo vetëm për të reduktuar hendekun ekzistues. Ne do të menaxhojmë gjithçka me disiplinë të madhe financiare, por pa sakrifikuar performancën. Mund të bëjmë shumë për Serie A, edhe nëse fitojnë tri herë më shumë në Premier League”.

Edhe për Superligën ka një përgjigje: “Ishte një dështim, por duhet të pyesim veten pse ndodhi kjo gjë. Edhe në SHBA kemi përjetuar tensione të caktuara mes tregjeve të mëdha dhe të vogla, siç po ndodh mes Premier League dhe pjesës tjetër të Evropës”.