Transmetuar më 14-03-2023, 08:46

Massimo Moratti e do ende Interin e "të tij" dhe i mban sytë vazhdimisht nga zikaltrit. Ai e mbështet Interin dhe, kur mendon se gjërat nuk shkojnë si duhet, e kritikon ashpër. Siç bëri në një intervistë për “Leggo”: "Skuadra po kalon një krizë. Le të shpresojmë që grupi të jetë i fortë dhe trajneri i mirë, por rezultatet nuk po vijnë".

Ish-presidenti hyn edhe në detaje të analizës: "Këto janë vështirësi që i kemi parë tashmë. Një skuadër e pakoncentruar, e cila pas një paraqitjeje të rëndësishme nuk arrin të mbajë organizimin e nevojshëm për të fituar ndeshjen.

Kam parë një skuadër të çrregullt herë pas here. Më vjen shumë keq që përsëritet kjo, duke pasur parasysh lojtarët cilësorë që kemi. Megjithatë, disa prej lojtarëve titullarë të Inzaghit shoh se janë jashtë formës".

Më pas, Moratti nuk e ka problem të thotë emra dhe mbiemra, për të perifrazuar: “Lukaku është jashtë formës, ende shumë i ngadalshëm”.

Dhe kur pyetjet kthehen te Simone Inzaghi, ish-presidenti nuk e fajëson atë për të gjitha të këqijat, por nënvizon rëndësinë e korrigjimit të veprimeve të tij: "Një trajner ka gjithmonë të gjitha përgjegjësitë, kur fiton dhe kur humbet.

Në këtë rasti ai humbi, prandaj duhet të vuajë kritikat e shtypit, publikut e kështu me radhë. Më duket se Inzaghi është një trajner që i lë lojtarët të lirë të tregojnë aftësitë e tyre në fushë. Ai duhet të tregojë ende se di ta mbajë ekipin të fokusuar në vazhdimësi".