Transmetuar më 14-03-2023, 07:28

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi ditën e sotme largimin e Artan Lames nga posti i kreut të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës. Nga Belshi, aty ku prezantoi kandidatin e PD-së, Berisha tha se Lame mund të ketë mëkate por sipas tij, nuk ka firmosur për marrëveshjen e Portit të Durrësit.

“E shkarkoi Artan Lamen! Boll mëkate ka patur, por një gjë e bëri, nuk fimosi për Portin e Durrësit. Sepse është një vjedhje e tmerrshme që i jepet klanit të Ramës dhe Alabarit 820 mijë metër katrorë, i jepet Porti Shekullor që Rama të bëhet sheik, në një kohë kur ajo është pasuria publike numër 1 e shqiptarëve”-tha Berisha.

Lame u largua nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës pak ditë më parë. Dosja.al konfirmoi lajmin ndërsa mësoi se vendin e Lames do e mbajë Dallëndyshe Bici. Për Lamen ishte e paqartë largimi nga institucioni. Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat, aty ku prezantoi Bicin në krye të Kadastrës.

I pranishëm ishte edhe Lame, i cili për mediat u shpreh se largimin e konsideron dhuratë për ditëlindje. Ai nuk harroi të falenderonte Ramën për reformën e pronës duke theksuar se falë tij u bë i mundur një proces që asnjë qeveri tjetër nuk do e merrte përsipër.