Transmetuar më 13-03-2023, 22:21

Rusja 33-vjeçare Svetlana Timofeeva, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe u përplasën me dy ushtarë që ruanin objektin ushtarak, duke iu hedhur spraj neuroparalizues.

33-vjeçarja po mbahet në paraburgim në burgun e grave, ndërsa gjykata e Elbasanit është duke shqyrtuar çështjen e Svetlana Timofeevas.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i 33-vjeçares ruse i ka drejtuar kërkesën për azil Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në kryeqytet pasi Moska kërkoi ekstradimin e saj.

“Nëse kthehem në Federaten Ruse do të persekutohem për shkak të bindjeve te mia politike.”-pretendon 33 vjeçarja ruse.

Sipas avokatit mbrojtës Isuf Shehu, e reja ruse, mund të persekutohet në shtetin e saj.

“Ka arsye të mendohet se ajo do t’u nënshtrohet persekutimeve ose diskriminimeve a trajtimeve të egra, çnjerëzore, poshtëruese ose veprimeve që përbëjnë shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Kthimi i kësaj shtetasje në Rusi, do të ishte në kundërshtim me ndalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues”-theksohet në kërkesën për autoritetet shqiptare.

Avokati shpjegon gjithashtu se autoritetet ruse po përdorin një procedim penal të vjetër (të vitit 2018) të cilin e kanë shfrytëzuar për ta rihapur, pasi janë njohur me qëndrimet e saj kundër luftës në Ukrainë, në rrjetet sociale. Më tej nënvizohet edhe fakti se ish-bashkëshorti i Svetlanës është përkrahës i politikës së Putin dhe bindjet politike kanë qënë shkaku kryesor i ndarjes së tyre.

Gjithashtu, avokati tregon se në kërkesën për azil politik janë vendosur në dispozicion edhe raporte të disa organizatave ndërkombëtare, që theksojnë se Rusia nuk respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe faktin se Prokurori i Përgjithshëm i Federatës Ruse, Igor Viktorovich Krasnov, i cili ka firmosur kërkesën për ekstradimin e saj, është në “listën e zezë” të SHBA-ve.

Sipas avokatit, Shehu ligji “Për Azilin në Republikën e Shqipërisë” parashikon garantimin e së drejtës për azil për shtetasit e huaj që refuzojnë të kthehen në vendin e tyre dhe sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë të vitit 2022, Rusia nuk është pjesë e listës së shteteve të treta të sigurta.

Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin dhe Fedir Aplatov akuzohen për spiunazh pasi u kapën duke forografuar uzinën e Gramshit. Në sendet personale të tyre u gjetën dmateriale që kanë të bëjnë me zonat që njihen si pika kritike ushtarake në Shqipëri.

Ata u lanë në “arrest me burg: dhe akuzohen për “Dhënie të informacioneve sekrete”, dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

https://www.scribd.com/document/631205686/Kerkese-per-azil-e-Svetlana-Timofeeva