Mbretëria e Bashkuar- Autoritetet në Britani kanë shpërndarë sot pamje të frikshme të luftimit mes dy familjeve, para pjesëmarrësve të funeralit të të afërmit të tyre, ku merrnin pjesë njerëz nga të dyja palët.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një ndjekjeje me makinë në Swansea të Uellsit.
Në pamje shihet një burrë i armatosur me sëpatë që ndjek një tjetër mes gurëve të varreve teksa dy të tjerë i bashkohen ndjekjes të armatosur me çekiçë e tulla.
Disa burra të tjerë shihen të afrohen me hanxharë e dërrasa në duar.
Pamjet nga kamera e makinës, që u sekuestruan nga policia, tregojnë shpejtësinë me të cilën mjeti udhëtonte mes pjesëmarrësve në funeral, thuajse duke goditur një person invalid në karrige me rrota.
Shtatë pjesëmarrësit në dhunën shokuese janë arrestuar tashmë për incidentin e gushtit të shkuar ndërsa 45 vjeçari James Coffey, nga makina e të cilit u regjistruan pamjet, u burgos për dy vjet.
Pasi Coffey ndjek rrezikshëm mjetin tjetër, ai del nga makina dhe nis përleshja mizore e dy grupeve të burrave.
Pas përplasjes, Coffey rikthehet në automjet me gjakun që shihet t’i rrjedhë nga një plagë në kokë.
Dy njerëz mbetën të plagosur rëndë në incident, duke përfshirë një adoleshent që u dërgua në spital me plagë thike.
Policë të armatosur erdhën në vendngjarje pas njoftimit që morën.
Incidenti ndodhi gjatë një funerali të mbushur me familjarë të cilët dëshmuan dhunën shokuese mes dy grupeve, shkruan rrjeti vendase WalesOnline.
Gjykata e Swansea tha se përplasja ishte më e fundit e një serie konfliktesh mes dy familjeve vendase, dhe se ishin paralajmëruar për dhunë të mundshme në funeral.
Përveç Coffey, 45 vjeç, dy 24 vjecarë nga Rumney, u burgosën për 18 muaj për dhunë e zotërim armësh të ftohta.
Patrick Joseph Murphy, 40 vjeç, u burgos për tetë muaj, 40-vjecari Andrew John Thomas, u burgos tre vjet për dhunën, si dhe dy pjesëmarrës të tjerë mbi 50-vjeçarë që u burgosën për 16 muaj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd