Transmetuar më 13-03-2023, 18:03

Tiranë- Një ngjarje e rëndë tronditi një natë më parë kryeqytetin Tiranë.

Një ditë më pas fqinjët vënë duart në kokë për atë që ndodhi në lokalin në rrugën Anastas Shundi.

Për ata, kjo ngjarje mund të ishte shmangur, sepse trazirat në lagje nuk ndodhnin për herë të parë.

“Dëgjova të shtënat. Por kjo është çmenduri. Ata pinë drogë, edhe bëhen grupe grupe e ndodhin këto gjëra, vrasin të pafajshëm”, thotë një fqinj.

Si pasojë e sulmit me kallashnikov mbrëmjen e të dielës, Mimoza Paja, 58 vjecarja e cila banonte prej 10 vitesh në Tiranë ndërroi jetë.

Ndërsa mbesa që rritej nga ajo deri mbrëmë, e pranishme në lokalin ku ndodhi atentati mbeti e plagosur por jashtë rrezikut për jetën. Humbja e gjyshes në mënyrë tragjike, ka traumatizuar 10-vjeçaren, e cila pas divorcit të prindërve kishte nënë dhe babë Mimozën.

58-vjeçarja mundohej me mish e me shpirt duke bërë disa punë e duke jetuar me borxhe për të siguruar jetesën për të dyja.

“Ishte grua shumë punëtore. Në pikë të hallit, shumë e varfër. Detyrohej edhe të mblidhte kanoçe. Kishte listë me ushqime borxh, madje edhe ato që ngelnin si për shembull kalbësirat edhe ato i merrte. Mu dhimbs shumë”, thotë shitësja e dyqanit.

Lokali ku punonte Mimoza Paja, gruaja e pafajshme së cilës ju mor jeta gjatë një atentati, ndodhet vetëm 10 metra larg shtëpisë së saj.

“Ç’faj kishte mimoza? Ajo punonte dy turne që të siguronte bukën e gojës edhe për mbesën. Shumë e pasigurt ndihem në vendin tim”.

Banorët janë të frikësuar dhe jo të gjithë kanë guximin të flasin, por të gjithë qoftë përballë kamera apo jashtë tyre i kërkojnë shtetit të vihet drejtësi për Mimozën dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten:

“Shteti të vërë fre, ndryshe ky vend nuk bëhet”!

Çfarë ndodhi në Tiranë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Don Bosko, hetimo nxori se më datë 12 mars 2023, rreth orës 21:05, në rrugën "Anastas Shundi", në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit Fation Murati është qëlluar me armë zjarri automatike dhe për pasojë ka mbetur e vrarë shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjeksore. Po ashtu u plagos dhe një vajzë 10 vjeçare.

Grupi i posaçëm hetimor, ka vazhduar kryerjen e veprimeve në vendin e ngjarjes, gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të dëmtuarve dhe dëshimtarëve okularë dhe sekuestrimin e pamjeve filmike.

Më datë 13 mars 2023, është rikqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Po sot më datë 13 mars 2023, në orët e para të mëngjesit, në vendin e qujatur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor ka kqyrur automjetin e djegur dhe ka sekuestruar disa prova të vlefshme për hetimin. Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se ky mjet tip BMW, seria 5, (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen nr 13 Durrës.

Të gjitha provat metariale të sekuestruara në vendngjarje në rrugën “Anastas Shundi” dhe në fshatin Likmetaj, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore ku po u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Dinamika e kësaj ngjarjeje është si më poshtë:

Autorët janë afruar me automjetin tip BMW, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit Fation Muratit, dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.

Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.

Pronari i lokalit shtetasi Fation Murati, është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.

Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12.03.2023, gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij.

Policia e Shtetit njoftoi të hënën se fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 069 41 11 546.