Transmetuar më 13-03-2023, 12:41

TIRANË- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur që të rrëzojë ankimimet e depozituara nga kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti Enkelejd Alibeaj. Në vendimin e marrë sot, bëhet me dije se KAS i ka kthyer të dy ankimimet me argumentin se për regjistrimin ose jo të një grupi politik në zgjedhjet e 14 majit 2023, duhet të vendosë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.

Alibeajt dorëzoi ankimimin pasi KQZ i kërkoi që të dorëzojë dokumente shtesë duke qenë se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kreut të partisë, por vetëm publikisht, pasi zyrtarisht rezulton kryetar i selisë blu. Në këtë mënyrë, në mbledhjen e zhvilluar më 9 mars, Celibashi kërkoi paraqitjen e Bashës ose të dorëzimit të dokumenteve shtesë.

Ndërsa Berisha ka dorëzuar ankimimin dhe ka kërkuar që KQZ të pranojë kërkesën për ta regjistruar në zgjedhjet lokale me argumentin se vendimi i Apelit që i ka hequr vulën nuk ka hyrë në fuqi dhe rrjedhimisht ai është zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike.