Transmetuar më 13-03-2023, 09:33

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit më 27 mars ndaj Polonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024. Duket se një pjesë e lojtarëve kuqezinj po kalojnë momente të mira me ekipet e tyre në kampionatet europiane.

Taulant Seferi realizoi dy gola në kampionatin ukrainas, duke shkuar tashmë në kuotën e 8 golave në këtë edicion futbollistik. Ndërkaq, duket se edhe sulmuesi Myrto Uzuni nuk ka ndërmend të ndalet.

Ai la përsëri shenjë në kamapionatin spanjoll, në radhët e ekipit të Granadës. Sulmuesi beratas kuqezi realizoi golin e tij të 19-të në kategorinë e dytë spanjolle. Ernest Muçi është kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të Legias së Varshavës në këtë sezon, në kampionatin polak, duke ndihmuar ekipin e tij që të qëndrojë në krye të klasifikimit.

Në Itali, Ardian Ismajli luajti për 90 minuta me Empolin në përballjen ndaj Udinese, ndërkohë që 90 minuta ishte në fushë dhe Elseid Hysaj ndaj Bologna. Një paraqitje shumë të mirë dhuroi edhe Arbnor Mucolli në Danimarkë me ekipin e Vejles, teksa luajti 88 minuta.

Minuta pati edhe për futbollistët e tjerë të kombëtares si Qazim Laçi, Odise Roshi, Nedim Bajrami, Enis Çokaj, Amir Abrashi, Marash Kumbulla dhe Berat Gjimshiti. Ky i fundit la fushën pas 44 minutash lojë, për shkak të një dëmtimi që pësoi në takimin Napoli-Atalanta.