Transmetuar më 13-03-2023, 07:32

TIRANË- Kreu i PD, Sali Berisha, ka fajësuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për ngjarjet kriminale që ndodhin në vend.

Nisur nga atentati mafioz që ndodhi një natë më parë në Don Bosko, në lokalin e Fatjon Muratit, Berisha ka publikuar videon ku Rama dëgjohet të thotë ‘hëngshin kokat e njëri-tjetrit’ për të inkriminuarit.

Sipas Berishës, është lidhja e qeverisë me krimin ajo që e ka vendosur sigurinë e njerëzve në duart e bandave.

Postimi:

Përgjaket Tirana nga banda të qeverisë. Rendi dhe siguria ne duart e krimit. Nga breshëritë e vrasësve mbetet e vdekur një grua, Mimoza Paja, ndërsa 5 të tjerë të plagosur, mes tyre një vajzë 10 vjeçare! I shpreh ngushëllime familjes së viktimës dhe uroj shërim të shpejtë të plagosurve.

Gjithashtu dënoj me forcën më të madhe autorët e kësaj masakre dhe denoncoj lidhjet e tmerrshme të qeveritarëve me bandat dhe krimin, si faktori më kryesor që ka vendosur rendin dhe sigurinë në duart e bandave të lidhura ngushtë me qeverinë.

Video deshmon qarte se me parimin ti hajne koken njeri tjetrit Edi Rama rendin dhe sigurine u a ka besuar bandave dhe krimit!

Masakra ndodhi një natë më parë në Don Bosko. Dy persona me motorë qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer.

Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati.

Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij.

Çfarë ndodhi në Tiranë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Don Bosko, hetimo nxori se më datë 12 mars 2023, rreth orës 21:05, në rrugën "Anastas Shundi", në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit Fation Murati është qëlluar me armë zjarri automatike dhe për pasojë ka mbetur e vrarë shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjeksore. Po ashtu u plagos dhe një vajzë 10 vjeçare.

Grupi i posaçëm hetimor, ka vazhduar kryerjen e veprimeve në vendin e ngjarjes, gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të dëmtuarve dhe dëshimtarëve okularë dhe sekuestrimin e pamjeve filmike.

Më datë 13 mars 2023, është rikqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Po sot më datë 13 mars 2023, në orët e para të mëngjesit, në vendin e qujatur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor ka kqyrur automjetin e djegur dhe ka sekuestruar disa prova të vlefshme për hetimin. Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se ky mjet tip BMW, seria 5, (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen nr 13 Durrës.

Të gjitha provat metariale të sekuestruara në vendngjarje në rrugën “Anastas Shundi” dhe në fshatin Likmetaj, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore ku po u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Dinamika e kësaj ngjarjeje është si më poshtë:

Autorët janë afruar me automjetin tip BMW, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit Fation Muratit, dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.

Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.

Pronari i lokalit shtetasi Fation Murati, është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.

Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12.03.2023, gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij.

Policia e Shtetit njoftoi të hënën se fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 069 41 11 546.