Transmetuar më 13-03-2023, 07:19

Nga ngjarja e rëndë, mbeti e lënduar nga copat e xhamave edhe një vajzë 10-vjeçare, por e mitura duket se parë gjyshen që ia vranë para syve brenda lokalit në Don Bosko, pasi ishte mbesa e banakieres Mimoza Paja.

TIRANË- Një detaj i rëndë është zbuluar nga masakra sot në Don Bosko. Disa persona të paidentifikuar hapën zjarr në drejtim të një lokali në zonën e Don Boskos duke vrarë një grua, e duke plagosur 5 persona të tjetër.

Nga ngjarja e rëndë, mbeti e lënduar nga copat e xhamave edhe një vajzë 10-vjeçare, por e mitura duket se parë gjyshen që ia vranë para syve brenda lokalit në Don Bosko, pasi ishte mbesa e banakieres Mimoza Paja.

Të plagosur mbetën Astrit Meraj, 42 vjeç, Emanuel Sala, 47 vjeç, Ermir Bejuku, 45 vjeç, Genc Shohalli, 55 vjeç dhe Sahit Murati, 50 vjeç.

Ky i fundit është xhaxhai i Fation Muratit, i cili është edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.

Fation Murati është një emër i njohur për autoritetet policore, i artikuluar për lidhje me disa personazhe të njohur të botës së krimit.

Çfarë ndodhi në Tiranë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Don Bosko, hetimo nxori se më datë 12 mars 2023, rreth orës 21:05, në rrugën "Anastas Shundi", në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit Fation Murati është qëlluar me armë zjarri automatike dhe për pasojë ka mbetur e vrarë shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjeksore. Po ashtu u plagos dhe një vajzë 10 vjeçare.

Grupi i posaçëm hetimor, ka vazhduar kryerjen e veprimeve në vendin e ngjarjes, gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të dëmtuarve dhe dëshimtarëve okularë dhe sekuestrimin e pamjeve filmike.

Më datë 13 mars 2023, është rikqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Po sot më datë 13 mars 2023, në orët e para të mëngjesit, në vendin e qujatur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor ka kqyrur automjetin e djegur dhe ka sekuestruar disa prova të vlefshme për hetimin. Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se ky mjet tip BMW, seria 5, (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen nr 13 Durrës.

Të gjitha provat metariale të sekuestruara në vendngjarje në rrugën “Anastas Shundi” dhe në fshatin Likmetaj, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore ku po u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Dinamika e kësaj ngjarjeje është si më poshtë:

Autorët janë afruar me automjetin tip BMW, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit Fation Muratit, dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetitn në fshatin Likmetaj.

Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.

Pronari i lokalit shtetasi Fation Murati, është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.

Më datë 07.03.2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde të punës, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë shtetasin F. M., ndërsa në kontrollin e datës 12.03.2023, gjatë kontrollit ky shtetas nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim dhe punohet për gjetjen dhe arrestimin e tij.

Policia e Shtetit njoftoi të hënën se fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim prej 20 mijë euro, për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të publikut numrin e telefonit 069 41 11 546.