Transmetuar më 12-03-2023, 18:16

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se të gjitha hipotezat për origjinën e COVID-19 duhet të hulumtohen.

Në një raport të klasifikuar në SHBA, dyshohet se pandemia mund të kishte dalë nga një laboratori kinez, duke rritur presionin mbi OBSH-në për të dalë me përgjigje.

Pekini mohon vlerësimin që së shpejti mund të bëhet publik pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA votoi këtë javë për ta deklasifikuar atë.

“Kuptimi i origjinës së COVID19 dhe eksplorimi i të gjitha hipotezave mbetet: një imperativ shkencor, për të na ndihmuar të parandalojmë shpërthimet e ardhshme dhe një imperativ moral, për hir të miliona njerëzve që vdiqën,” u shpreh Ghebreyesus përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në vitin 2021, një ekip i udhëhequr nga OBSH qëndroi në Wuhan të Kinës ku u raportuan rastet e para njerëzore dhe tha në një raport të përbashkët se virusi ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët te njerëzit përmes një kafshe tjetër, por nevojiteshin kërkime të mëtejshme.

Që atëherë, OBSH ka krijuar një grup këshillimor shkencor për patogjenët e rrezikshëm, por ende nuk ka arritur në ndonjë përfundim se si filloi pandemia, duke thënë se pjesët kryesore të të dhënave mungojnë.