Transmetuar më 12-03-2023, 13:01

VLORË-Vidhte bashkë me djalin e mitur banesa, arerstohet një 52-vjeçar.

Mësohet se në pranga ka rënë Tahir Çela ndërkohë që djali i tij 14-vjeçar është proceduar penalisht. Po ashtu është proceduar penalisht dhe Haxhi Dervishi, pasi kishte shitur sendet dhe objektet që Çela kishte marrë në banesat e vjedhura.

Policia vendore informon se ‘shërbimet e komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Storm 3”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi: – T.Ç., 52 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtytja e të miturit në krim”.

Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për djalin 14-vjeçar të shtetasit Tahir Çela, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasin H. D., banues në Vlorë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale“. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. Ç. dhe djali i tij i mitur, përgjatë periudhës tetor 2022 deri në 11 mars 2023, në fshatin Nartë kanë kryer 14 vjedhje banesash, gjatë të cilave kanë vjedhur orendi shtëpiake, vegla pune, panele diellore, ventilatorë e sende të tjera. Këta shtetas sendet e vjedhura i grumbullonin në shtëpinë e shtetasit H. D, për ti shitur me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.