Transmetuar më 12-03-2023, 11:03

Itali- Mes lotësh dhe dhimbjes së thellë, është përcjellë për në banesën e fundit Eralda Spahillari, 19 vjeçarja shqiptare që humbi jetën në aksidentin e 4 marsit në Itali. Më shumë se 500 persona ishin mbledhur për t’i dhënë të resë shqiptare lamtumirën e fundit. Ceremonia mortore u bë bashkë me atë të Barbara Brotto, e cila vdiq gjithashtu në këtë aksident.

Gjatë ceremonisë mortore për nder të 19 vjeçares shqiptare, shokët e klasës i dhuruan familjes së saj një album me fotot më të bukura të realizuara ndër vite me të. Në fund të ceremonisë mortore, miqtë e së resë lëshuan në ajër edhe disa tullumbace të bardhë në nderim të saj.

Nëna e Barbaras përcolli një mesazh për personat e përfshirë në këtë tragjedi. “Uroj me gjithë zemër që dy djemtë që po luftojnë mes jetës dhe vdekjes në spital, t’ia dalin, lutem që bilanci i kësaj drame të mos bëhet edhe më e rëndë”, ka thënë e ëma e Barbarës, citojnë mediat italiane.

Eralda ishte në makinë me të dashurin e saj dhe dy miq kur pësuan aksident. Mjeti me të cilin udhëtonin ishte më 140 km në orë, në momentin kur ndodhi tragjedia.