Transmetuar më 12-03-2023, 10:45

Më shumë se 1.000 emigrantë nga vende të Afrikes së Veriut apo Lindjes se Mesme, qe ndodheshin në tri varka të cilat ishin të mbipopulluara dhe ne rrezik fondosjeje u shpëtuan nga rojet bregdetare italiane mbrëmjen e të shtunës. Roja bregdetare tha se 487 persona në bordin e varkës së parë u dërguan në mënyrë të sigurt në portin e Crotones rreth orës 02:00 te mëngjesit.

Në varkën e dytë ishin rreth 500 emigrantë të tjerë në portin e Reggio Calabria. Ndërsa varka e tretë kishte 379 persona, të cilët u shpëtuan nga dy varka patrullimi të rojës bregdetare dhe emigrantët u transferuan në një anije të marinës që drejtohej në portin sicilian të Augusta.

Vitin e kaluar, Organizata Ndërkombëtare për Migrim në raportin e saj të fundit, tha se më shumë se 29.000 njerëz kanë vdekur teksa kanë tentuar të migrojnë në Evropë qe prej vitit 2014. Mbi 5.000 viktima janë regjistruar vetëm në dy vitet e fundit.