Transmetuar më 11-03-2023, 19:51

Korçë- Lideri i PD, Sali Berisha zhvilloi një takim në Korçë. Mes të tjerash Berisha evidentoi edhe largimet masive nga Shqipëria.

‘Ajo çka unë njerëzisht do të kërkoja nga çdo qytetare dhe qytetar i Korçës, të shtrojnë pyetjen; kur ky vend ka qenë në një ritëm shpopullimi dhe shkretëtimi në histori se sa këto 8 vite. Kemi 01/3 korçarë më pak seç kishim 8 vite më parë. Në 8 vite, secili prej nesh nuk ka më në Shqipëri 1/3 e njerëzve tanë të dashur. Në 8 vite, secili prej nesh nuk ka më së paku 1/3 e të rinjve tanë, e fëmijëve tanë.

Në 8 vite ne kemi emigruar vetëm në hapësirën e BE-së, 937 mijë shqiptarë. Po të shtojmë, SHBA, Kanadanë e vende të tjera jashtë hapësirës Shengen, kjo shifër i kalon 1 mln. Kalon pra 1/3 e popullisë shqiptare. Në 8 vite fuqia konsumuese e këtij kombi është pakësuar me 1/3.

Le të mendojmë për një moment, nëqoftëse vazhdojmë me këto qëndrime të deritanishme, e kam për të gjithë shqiptarët, nuk e kam për një grup, apo grup tjetër, nuk e kam për mbështetësit e PD-së, apo të një partie tjetër por për çdo shqiptar; le të mendojmë se do të ecim në këtë mënyrë, pas 8 vitesh do të kenë ikur 2/3 dhe ne vazhdojmë në somnambulizmin tonë. Fatkeqësitë më të mëdha njerëzimit i kanë ardhur nga ecja në këtë mënyrë, nga indiferenca ndaj të keqes.

Sot mendoj unë, ky faktor duhet të zgjojë çdo shqiptar, të shkundë çdo shqiptar. Të ndryshojmë, pse do rrokullisemi ne, të pakësohemi ne në këtë mënyrë, kur u krijuan të gjitha mundësitë që ne të prosperojmë, të begatohemi që pasuritë përrallore të këtij vendi të shndërrohen në mirësi për ne. Unë besoj se çdo shqiptar që e ndjen veten shqiptar dhe e do këtë vend; duhet të marrë një vendim, të kontribuojë për këtë ndryshim të madh në këto zgjedhje.’