Transmetuar më 11-03-2023, 11:58

Një kthesë e re e pazakontë në rastin e Robinhos që, në këtë pikë, duket si diçka e dalë nga një film. Ish-futbollisti brazilian i Milanit dhe Real Madridit u dënua nga Gjykata Italiane e Drejtësisë me 9 vite burg në fillim të vitit 2022, pasi u shpall fajtor për pjesëmarrje në përdhunimin në grup të një vajze të re shqiptare me miqtë e tij në vitin 2013, në një disko në Milano.

Lojtari njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli pas konfirmimit të dënimit final, por deri më tani kishte arritur t’i shmangej burgut. Megjithatë, fati i tij duket se ka ndryshuar. Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Milanit, ndër të tjera, është fshehur pas marrëveshjeve ligjore mes Italisë dhe Brazilit, në të cilat, sipas traktateve të tyre ndërkombëtare nuk detyrohet ekstradimi i kriminelëve apo të zbatohen dënimet e shqiptuara në vendin tjetër.

Pavarësisht kësaj, drejtësia italiane kontaktoi Ministrinë Publike Federale në Brazil dhe ajo kishte rënë dakord për të nisur procesin në mënyrë që dënimi i Robson de Souza (emri i tij i plotë) të transferohet dhe kryhet në territorin brazilian.

Tani, që kur u publikuan këto informacione, Robinho është zhdukur. Autoritetet janë vënë në kërkim të tij për ta njoftuar për hapjen e rastit, por ai nuk ka qenë në asnjërën nga tri adresat e shtëpive, që ka dhënë në polici. Përveç kësaj, dëshmitarët thonë se ai prej disa ditësh nuk është paraqitur në vendet që frekuentonte. Ndërkohë, familja e tij vazhdon rutinën dhe jetën normale në Sao Paulo.

Në përpjekjen e tij për të shmangur burgun, u mësua se Robinho punësoi një ekip prej pesë avokatësh për të mos përfunduar në burg: José Eduardo Rangel de Alckmin, José Augusto Rangel de Alckmin, Rodrigo Otávio Barbosa de Alencastro, Pedro Júnior Rosalino Braule Pinto dhe João Paulo Chaves de Alckmin.