Transmetuar më 11-03-2023, 09:57

Humbja e dytë në tri ndeshjet e fundit të Serie A për Interin, i cili bie para “Derby d’Italia” kundër Juventusit dhe mbi të gjitha pak ditë para ndeshjes së kthimit të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër Portos. Në fakt, në pritje të javës së 26-të, zikaltrit u mposhtën në fushën e Spezias.

Një ndeshje e dominuar për sa i përket posedimit të topit dhe gjuajtjeve, por zero pikë për Interin. Milanezët humbën një penallti në pjesën e parë me Lautaro Martinez, duke arritur ta gjejnë golin me një tjetër penallti, të realizuar nga Lukaku. Për vendësit, megjithatë, golat nga Maldini dhe Nzola (nga 11 metra) çuan në sukses.

“Ka zhgënjim, do të jetë një natë e keqe, por të martën kemi një finale për të luajtur, – tha Simone Inzaghi në fund të ndeshjes. – Një disfatë si kjo dhemb, erdhi ndryshe nga të tjerat. Dhamë gjithçka në fushë, ndoshta duhej më shumë ligësi në kërkim të golit”.

Spezia u rilind me ardhjen e Semplici, por Inzaghi nuk pranon një nokaut kundër një ekipi që lufton për të mos rënë nga kategoria: "Nuk do të flemë sonte, nuk ka arsye që Interi të humbasë ndaj Spezias. Pastaj e dimë se si është futbolli, nuk ofron gjithmonë logjikë sportive".

Pavarësisht gabimeve në fushë, Inzaghi nuk ka dyshime: "Sa i përket humbjes, unë marr përgjegjësitë. Djemtë dhanë gjithçka që kishin në fushë, ne duhej të ishim më cinikë, por ky është futbolli".

Pas kësaj disfate, Interi do të rikthehet në fushë të martën për t’u përballur me Porton. Një ndeshje që vlen gjithë sezonin, për ta harruar Spezian dhe vazhduar ëndërrimin në Evropë.

Larg fushës së vet, Interi ka vuajtur gjatë gjithë sezonit të Serie A. Ka ndër mbrojtjet më të këqija në Serie A larg “San Siro”, por tani, në Portugali, zikaltrit do të duhet të mbrojnë avantazhin 1-0 të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve për të qenë në gjendje të hyjnë në tetë skuadrat më të mira të Evropës.