Transmetuar më 11-03-2023, 08:27

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen të premten është pritur në takim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me të cilin kanë biseduar për shumë çështje, pa e harruar edhe procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Express.

Von Der Leyen në konferencën e mbajtur për media pas takimit që ka pasur në Shtëpinë e Bardhë, ka konfirmuar se kanë folur shkurtimisht me Joe Biden edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që dialogu po vazhdon. Shejfa e Komisionit Evropian ka thënë se sigurisht që nuk është një proces i lehtë dhe se ka shumë çështje për t’u zgjidhur.

Politikania gjermane ka potencuar se procesi po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka përkrahjen e plotë edhe të SHBA-së edhe të Bashkimit Evropian.

“E kemi prekur këtë temë shkurtimisht. Është shumë e rëndësishme që dialogu Kosovë-Serbi vazhdon. Nuk është e lehtë. Ka shumë çështje për t’u zgjidhur, por po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka mbështetje të plotë nga të dy palët për këtë dialog”, ka thënë Von Der Leyen.