Transmetuar më 10-03-2023, 22:50

Tiranë- Bilanc tragjik nga aksidentet, përgjaken rrugët në Shqipëri.

Sipas raportimeve nga mediat bëhet me dije se vetëm në harkun kohor të 24 orëve të fundit, janë shënuar 6 viktima.

Mbrëmjen e djeshme (09. 03. 2023) një aksident i frikshëm u raportua në afërsi të mbikalimit të Saukut, ku automjeti Audi A8 çau barrierën, ra nga mbikalimi dhe përfundoi mbi kofanon e një mjeti tjetër.

Në automjetin ‘Audi A8’ udhëtonin Klevis Ruçaj, që ishte shoferi dhe dy vajzat, Eriselda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroi, 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, ndërsa të tre fatkeqësisht humbën jetën.

Po ashtu në aksident u plagosën 2 persona të tjerë që udhëtonin në mjetin ‘Honda’ që ra sipër “Audi A8”.

Ditën e sotme (10.03.2023) në Durrës u raportua një tjetër aksident fatal.

Në afërsi të spitalit të qytetit, një betoniere përplasi për vdekje të moshuar. Viktimë radhës ishte 71-vjeçari Neshit Lufta, i cili po lëvizte me biçiklitë në momentin kur edhe u godit.

Tragjedia e radhës do të përfshinte edhe Kavajën, ku drejtuesja e automjet tip “Golf” humbi kontrolli e mjetit dhe përfundoi në kanal. Fatkeqësisht e reja Rovena Cara humbi jetën. Nga pamjet shihej se automjeti ishte i përmbysur në vendin e quajtur Përroi i Rikaj.

Aksidenti i radhës me pasojë vdekje do të regjistrohej në Korçë. Në aksin Maliq-Korçë, një automjet përplasi këmbësorin Olger Zhuti 39-vjeç, i cili humbi jetën rrugës për në spital.

Të tjerë aksidente u raportuan në Fier, Shëngjin, ku pati edhe të plagosur, dhe në aksin Kardhiq-Delvinë ku dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin pranë fshatit Zenelaj.

Ndërsa në Fier mbeti i lënduar 60-vjeçari P.S., dhe në Shëngjin një 7-vjeçare.