Transmetuar më 11-03-2023, 08:35

Patrice Evra, ish-shoku i skuadrës së Cristiano Ronaldos te Manchester United, ka folur në kanalin Youtube të Rio Ferdinand, i cili ishte gjithashtu pjesë e atyre “Djajve të Kuq”. Aty ka bërë krahasimin mes yllit portugez dhe Leo Messit, dy lojtarët që kanë dominuar futbollin këtë shekull.

Për ish-mbrojtësin francezin, ajo që bën diferencën në favor të portugezit është etika e tij e punës: "Dua të shpjegoj pse them Ronaldo çdo herë. Nuk ndodh vetëm sepse ai është vëllai ynë, por sepse e dua etikën e tij të punës.

Ndjej se Messit iu dha një talent nga Zoti dhe i tha: Shko në fushë dhe luaj me këto aftësi. Nga ana tjetër, Cristiano duhej të punonte shumë dhe përditë. Ai gjithashtu ka talent, por duhej të punonte fort për të arritur në majë.

Nëse Messi do të kishte etikën e punës së Cristiano Ronaldos, ndoshta sot do të kishte rreth 15 ‘Topa të Artë’. Unë i dua njerëzit që punojnë shumë dhe kjo është arsyeja pse zgjedh Ronaldon.

E di që pas Kupës së Botës së Katarit, njerëzit thonë se GOAT (më i miri) është Messi, por Ronaldo është në një nivel tjetër. Nuk dua t’i krahasoj ata, nëse dikush zgjedh Messin, do ta respektoj”.

Messi është lojtari që ka fituar më shumë ‘Topa të Artë’ në histori, 7 të tillë, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo, me 5. Argjentinasi mund ta rrisë rekordin e tij dhe të ngrejë të tetin ‘Top të Artë’ më 2023, pasi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën.