Transmetuar më 10-03-2023, 10:45

Kurbin- Një shpërthim i fuqishëm ka zgjuar sot rreth orës 03.20 banorët e fshatit Sanxhak të Kurbinit.

Një sasi eksplozivi ishte vendosur në banesën e Skënder Likës me banim në këtë fshat.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe po ashtu dëmtime kanë edhe te banesat përreth.

Në momentin e shpërthimit, Lika së bashku me bashkëshorten ndodheshin në banesë.

Por çfarë thonë fqinjët e Likës? Sipas tyre shpërthimi ishte i frikshëm dhe shumë i tmerrshëm. Ata thonë se fillimisht menduan se ishte tërmet.

“Shpërthimi ka qenë shumë i frikshëm shumë i tmerrshëm. Ne ishim në gjumë, e kemi dëgjuar! Si tërmet i fuqishëm. Kur kam dalë jashtë kam menduar se ishte tërmet. Dëmi është kolosal. E kemi pasur ballë për ballë shtëpinë”, tha një fqinj..

‘Nga ora 3 e gjysmë. Kur dola mendova se ishte ndonjë termet. Dolëm të gjithë! Pashë pastaj policinë, i kanë vendosur tritol kushëririt tim. Ja ka çarë murin atje. U frikësuam shumë. Kam dalë me vrap duke ikur nga frika. Çatia më ka dalë nga shtëpia. Kam biznesin çdo gjë na është thyer”, u shpreh një nga fqinjët.